Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale më 2 nëntor, Kërçova ka nevojë për zërin dhe vendimin tuaj. Sot, secili prej nesh ka mundësinë të zgjedhë mes progresit dhe barazisë, ose të kthehet pas në politika që përjashtojnë dhe ndajnë. Zgjidhni të ardhmen!
Fatmir Dehari është simbol i punës, vizionit të qartë dhe përkushtimit ndaj qytetarëve. Gjatë mandatit të tij, Kërçova ka ndryshuar: shërbimet komunale janë digjitalizuar, infrastruktura është përmirësuar, shkollat dhe rinia janë mbështetur, mjedisi është menaxhuar me përgjegjësi. Ky është rezultat i punës së palodhur dhe respektit për çdo qytetar.
Por, vizioni për Kërçovën nuk ndalet këtu. Planifikimet për të ardhmen janë të qarta dhe të guximshme:
Strategjia Lokale për të Rinjtë 2025-2029 është miratuar, duke vendosur prioritetet për përmirësimin e jetës së të rinjve, rritjen e pjesëmarrjes në vendimmarrje, mundësi më të mira për punësim, sipërmarrje, barazi gjinore, zhvillim personal, arsimor, kulturor dhe sportiv. Krijimi i Këshillit Rinor Lokal, trajnime, mbështetje për projekte rinore dhe investime në infrastrukturë janë pjesë e këtij vizioni.
Plani Social 2025-2028 synon mbrojtjen sociale, përmirësimin e cilësisë së jetës, parandalimin e përjashtimit social dhe forcimin e kapaciteteve të qytetarëve për një jetë të pavarur, aktive dhe produktive. Mbështetja financiare për kategoritë më të cenueshme është e garantuar.
Investimet infrastrukturore, mbështetja e sektorit privat dhe rolit aktiv të shoqatave qytetare do të sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe standarde më të larta jetese. Kërçova është në rrugën e qytetit evropian, ku projektet e nisura duhet të përmbyllen dhe të pasurohen me ide të reja.
Në kontrast, kandidati i VMRO-DPMNE-së ka treguar mungesë respekti ndaj komunitetit shqiptar, duke mos përdorur gjuhën shqipe gjatë fushatës. Kjo nuk është rruga që na bashkon, por ajo që na ndan.
Sot është koha të bashkohemi! Të votojmë për barazi dhe zhvillim. Të zgjedhim një Kërçovë që ecën përpara, ku secili ka vendin e vet dhe zëri i tij dëgjohet. Vota juaj është energjia që ndryshon të ardhmen!
Dilni, bashkohuni, votoni! Për Kërçovën që e duam, për Kërçovën që e ndërtojmë së bashku!