Të mërkurën është lansuar një nga projektet më të rëndësishme në kryeqytet. Një qytet brenda qytetit kështu po e përshkruajnë investitorët. Bëhet fjalë për “Inter City” një vend që brenda tij përfshihen dyqane të blerjes, zyra, apartamente, hotel luksoz e shumëçka tjetër
Në zemër të Prishtinës, dalëngadalë po ngrihet një nga projektet më të rëndësishme në vend, një standard dhe dimension i ri i jetesës urbane.
Projekti “Inter city”, qendra e parë tregtare multifunksionale në vend dhe rajon, u lansua këtë të mërkurë.
Përshkruar nga investitorët si “një qytet brenda qytetit”, ky kompleks gjigand do të gërshetojë jetesën urbane, gastronominë, blerjen, kohën e lirë dhe hapësira të punës me standarde të larta.
Investitori i “Inter City”, Artan Reka, shprehu kënaqësinë dhe krenarinë, që së bashku me partnerët e tjerë, po kontribuon në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“’Inter city’ nuk është thjesht një projekt ndërtimor, është reflektim i punës dhe besimit tonë të thellë për të ardhmen e Kosovës, një e ardhme moderne, të zhvilluar dhe qëndrueshme. “Inter city” po ndërtohet si qendër multifunksionale që ka arkitekturë moderne në përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj cilësisë që përkthehet në një platformë ideale për zhvillimin e aktivitete komerciale. Është vlerë e shtuar e qytetit dhe vendit tonë, kjo është dëshmi konkrete e vullnetit tonë si investitor vendor që kontribuon në zhvillim ekonomik dhe social të vendit. Jam krenar që këtë hap e hedhim në bashkëpunim me partnerë tanë vendorë dhe ndërkombëtarë që mbështesin këtë vizion, po ndërtojmë një koncept të ri brenda qytetit, një simbol i aspiratave tona me besim, bashkëpunim dhe përkushtim”, tha ai.
E Mauro Abruzzese, drejtori menaxhues i “Inter City”, prezantoi në detaje çdo hapësirë të projektit, duke theksuar se “Inter City” do t’i sjellë të gjitha në një vend. Vetëm zona e dedikuar për dyqanet e blerjeve do të shtrihet në mbi 15 mijë metra katrorë.
Ai gjithashtu theksoi se lokacioni pranë Ambasadës amerikane në lagjen Arbëria ofron një qasje të lehtë dhe të shpejtë, jo vetëm për banorët e Prishtinës, por edhe për ata që vijnë nga qytete të tjera të Kosovës.
“Rëndësia e këtij projekti është shumë e madhe sepse është krejtësisht ndryshe nga projektet e tjera të deritanishme në vend dhe regjion, është i pari që përmbledh një komunitet në një vend, do të sjellë shumë njerëz që do të bëjnë blerje por në të njëjtën kohë do të përjetojnë momente me eksperienca të ndryshme dhe “Inter City” do t'i sjellë të gjitha në një vend. Ne kemi përdorur gjitha asetet e duhura për këtë projekt, për komunitetin rëndësia është se për herë të parë e kemi një qendër tregtare në një hapësirë kaq të madhe prej 15 mijë metra katrorë, lokacioni po ashtu është strategjik, jemi pranë Ambasadës amerikane dhe njëkohësisht afër qyteteve të tjera”, deklaroi Abruzzese.
Investitori tjetër, Bujar Reka, theksoi se që nga fillimi i punimeve në vitin 2024 e deri më sot, projekti “Inter City” ka krijuar mbi 2 mijë vende të reja pune. Ai shprehu besimin se punimet do të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm
Investitori tjetër, Bujar Reka, theksoi se që nga fillimi i punimeve në vitin 2024 e deri tani, për këtë projekt janë hapur mbi 2 mijë vende të reja të punës, për të cilin shpreson se finalizimi do të jetë vitin e ardhshëm.
“Mendoj se është projekt inventiv, në këtë situatë që jemi sot ne do ta përmirësojë edhe imazhin e Prishtinës, është në ndër projektet më të mira që ka Prishtina në të ardhmen, që nga fillimi punimeve e deri më sot besoj se janë hapur mbi 2 mijë vende të punës, është qytet brenda qytetit dhe i plotëson gjitha nevojat që i duhen një komuniteti, jemi duke punuar me dy turne dhe besoj që brenda vitit 2026 do ta finalizojmë si projekt”, theksoi Reka.
Në një projekt kaq të rëndësishëm për ekonominë e vendit, nuk mungoi as prania e presidentes së Republikës, Vjosa Osmani. Ajo tha se ky projekt pasqyron vendosmërinë dhe vizionin e sipërmarrësve vendorë. Sipas saj, kjo qendër multifunksionale do të shërbejë si një imazh i ri modern për kryeqytetin dhe për gjithë vendin.
“Është kënaqësi e veçantë të jem sot me ju për të shënuar lansimin e një projekti që jo vetëm pasqyron vizionin për zhvillim modern urban por pasqyron fuqinë dhe vendosmërinë e sipërmarrjes vendore, kjo është e rëndësishme kur flasim për sipërmarrje që janë trashëguar brez pas brezi dhe me të drejtë tregojnë se puna dhe mundi gjithnjë realizojnë suksese. “Inter City” është më shumë sesa një qendër ekonomike, është një simbol besimi në potencialin e vendit tonë, në aftësinë e prodhuesve tanë, në aftësinë e investitorëve tanë për të krijuar ndërtuar dhe kontribuar në ekonominë e vendit me standardet më të larta bashkëkohore, përkrahja e investitorëve tanë nuk është vetëm nevojë ekonomisë por është vizion për të ardhmen dhe për të ndërtuar ekonomi konkurruese, për të rritur mirëqenien për gjithë qytetarët e për ta bërë Kosovën si vend që krenohemi të gjithë e kjo i jep imazh të ri Prishtinës sonë”, deklaroi Osmani.
Presidentja Osmani shtoi gjithashtu se në rolin e saj si presidente e vendit do të vazhdojë të jetë gjithmonë krah prodhuesve dhe bizneseve vendore që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët e Kosovës.
Projekti “Inter City” do të përfshijë gjithsej 69 dyqane blerjeje, hapësira moderne zyrash, apartamente për banim dhe një hotel luksoz. Vlera e përgjithshme e investimit arrin në 53 milionë e 842 mijë euro.