Rajon

Njeriu në listën e zezë të SHBA-së propozohet për zëvendëskryeministër në Serbi

Aleksandar Vulin

Aleksandar Vulin, që është pjesë e listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është propozuar për zëvendëskryeministër në Serbi.

Mandatari për kryeministër të Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka propozuar përbërjen e qeverisë së re të martën, raporton "B92".

Vuçeviq si kryeministër ka propozuar në postin e zëvendëskryeministrit Aleksandar Vulinin e sanksionuar nga SHBA-ja. Ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër është propozuar Marko Gjuriq.

Ministër i Mbrojtjes është propozuar Bratislav Gashiq.  Ministër i Brendshëm është propozuar Ivica Daçiq. 

Vulin vitin e kaluar u fut në listën e zezë nga Thesari i SHBA-së, për përfshirje në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Vulin njihet për lidhje të forta me Rusinë. Në të kaluarën ka shërbyer edhe si kryetar i BIA-s serbe e ishte larguar pas sanksionimit nga SHBA-ja.

Edhe ministri i Jashtëm, Gjuriq së fundmi është raportuar se ka takuar udhëheqësin e grupit terrorist të sulmit në Banjskë, Millan Radoiçiq.

Edhe Nenad Popoviq, i propozuar si ministër pa portofol, është pjesë e listës së zezë të SHBA-së për shkak të lidhjeve me Rusinë.