Me planprogram të ri mësimor, nxënësit e klasës së nëntë në Republika Sërpska do të mësojnë për Ratko Mladiqin e Radovan Karaxhiqin si heronj lufte. “Lufta patriotike për mbrojtjen e atdheut” është tema e aty nuk përmendet askund gjenocidi në Srebrenicë. Kolumnisti Dragan Bursaq ka thënë se fëmijët nuk mund të indoktrinohen e të flasin për superioritetin e një kombi e, në anën tjetër, të mësojnë për të ashtuquajturën bashkëjetesë
Në Republika Sërpska është ndryshuar planprogrami mësimor për historinë e klasës së nëntë. Me planprogram të ri parashihet që nxënësit e klasës së nëntë në dhjetë orë mësimore të mësojnë për “Luftën patriotike për mbrojtjen e atdheut”, gjegjësisht për luftën në territorin e Bosnjë-Hercegovinës në vitet ‘90 dhe agresionin e Serbisë ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Askund nuk përmendet gjenocidi në Srebrenicë. Me këtë do të lartësohen të dënuarit për krime lufte, gjenerali i ushtrisë së RS-së, Ratko Mladiq, dhe kryetari i parë i RS-së, Radovan Karaxhiq.
Bashkëbiseduesit e gazetës “Danas”, kolumnisti Dragan Bursaq nga Bosnjë-Hercegovina dhe Qamil Durakoviq, nënkryetar i Republika Sërpskës, kanë shtruar një pyetje për prokurorët e BH-së: Çfarë po bëni?
Bursaq ka thënë se “djathtistët e botës serbe” janë të habitur se si ky planprogram mësimor nuk është realizuar më herët.
“Pra, ata insistojnë që ky planprogram të zbatohet deri në fund, që fëmijët të mësojnë se Ratko Mladiqi dhe Radovan Karaxhiqi janë heronj lufte e për ndonjë gjenocid as që bëhet fjalë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, sipas tij, komuniteti ndërkombëtar është goxha dembel.
“Ambasada e SHBA-së në Bosnjë-Hercegovinë ka thënë se kjo është e tmerrshme dhe i vjen keq. Ata reagojnë sikur të ishin kolumnistë, na e vjedhin punën. Askush nuk mbështetet në ligj e ligji e thotë prerazi se ndalohet mohimi i krimeve të luftës dhe gjenocidit në njërën anë, e, në anën tjetër, lartësohen kriminelët e luftës, siç ngjan në institucionet e sistemit të entitetit Republika Sërpska”, ka theksuar Busaq.
Siç ka sqaruar, asnjëri prej institucioneve relevante nuk ka parë ndonjë problem ligjor në këtë rast.
“Kjo është e frikshme. Sipas deklaratave të zyrtarëve ndërkombëtarë, mendoj se kjo në shtator do të nisë të zbatohet. Shumë profesorë e arsimtarë neoçetnikë kanë thënë se jo vetëm 10 orë, por edhe 15 orë, dy apo tre muaj, do t’ua mësojnë nxënësve rrenat si këto”, ka thënë ai.
Duke pasur parasysh levat e sistemit në botën serbe dhe realizimin e gjithë kësaj, fatkeqësisht një gjë si kjo, sipas Bursaqit, edhe ishte e pritshme.
Në mesin e “synimeve të përgjithshme dhe specifike të programit” shkruhet se qëllimi është “të kultivohen dhe forcohen entiteti kombëtar dhe patriotizmi”, dhe më pas “të nxitet respektimi i diversitetit kulturor, fetar dhe ai midis komuniteteve".
Redaksia e gazetës “Danas” i ka shkruar Ministrisë së Arsimit të Republika Sërpskës në lidhje me ndryshimin e planprogramit mësimor për historinë e klasës së nëntë, po nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e tekstit (të enjten vonë, v.j.).
Bursaq ka thënë se fëmijët nuk mund të indoktrinohen e të flasin për superioritetin e një kombi e, në anën tjetër, të mësojnë për të ashtuquajturën bashkëjetesë.
“Është një situatë skizofrene”, ka thënë Bursaq.
Sipas tij, ajo pjesa për respektimin e kulturave, feve dhe komuniteteve është shtuar për shkak të komunitetit ndërkombëtar, “por njëra nuk shkon me tjetrën”.
“Vetë fakti që ju i mësoni dhe i indoktrinoni fëmijët në një mënyrë të tillë, në periudhën më të cenueshme kur fëmijët hyjnë në adoleshencë, ata mbarojnë edhe shkollën fillore me këto tekste. Kjo është e vetmja gjë që mbetet. Fëmijët nuk do të mbajnë në mend mësimet nga epoka e akullnajave apo antikiteti, por do ta mbajnë mend këtë”, ka thënë Bursaq.
Qamil Durakoviq ka thënë për “Danasin” se në kuadër të temës së re “Republika Sërpska dhe lufta patriotike për mbrojtjen e atdheut”, cila si e tillë është fort e diskutueshme, nxënësit do të mësojnë për Mladiqin e Karaxhiqin jo si kriminelë lufte, por si heronj lufte.
“Gjithashtu, përveç kriminelëve të dënuar të luftës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq, fëmijët do të mësojnë për shkaqet dhe pasojat e ‘Luftës patriotike për mbrojtjen e atdheut’, por ata do të anashkalojnë gjenocidin, spastrimin etnik dhe të gjithë gamën e krimeve të kryera kundër njerëzimit nga pjesëtarët e Ushtrisë së Republika Sërpskas, për të cilët, si heronj do të mësojnë fëmijët e klasës së nëntë të shkollave fillore në Republika Sërpska”, ka thënë Durakoviq.
Ai ka shtuar se në këtë Republika Sërpska, e cila është në borxhe dhe në të cilën ka gjithnjë e më pak fëmijë të cilëve do t’u mësohet historia, të cilën s’ua ka mësuar asnjë vend i civilizuar e as që kurrë nuk do t’ua mësojnë, siç u dëshmua me Rezolutën për gjenocid në Srebrenicë.
“E pyes, konkretisht, Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës: çfarë po bëni dhe ku jeni ndërkohë që institucionet zyrtare të entitetit Republika Sërpska lavdërojnë hapur dhe publikisht kriminelët e luftës me program mësimor? Pyes, shumë konkretisht, personat që e kanë shkruar këtë kurrikulë, a e dini se jeni duke bërë një krim? Pyes autoritetet zyrtare të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, a do të lejoni që luftënxitësit të indoktrinojnë fëmijët tanë në shkollat fillore? A do të lejoni që Ratko Mladiq, i dënuar për gjenocid, të jetë idhulli i gjeneratave të ardhshme, si dikush që e çliroi popullin serb në Srebrenicë dhe u hakmor ndaj ‘dahijëve turq’”, ka thënë Durakoviq.