Futboll

Vazhdojnë goditjet ndaj Kosovës, priten të tjera

Kosova

Foto: Driton Paçarada

Pas një stërvitjeje të zhvilluar në Hajvali, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të dielën udhëtoi për në Qipro. Por pjesë e delegacionit nuk ishin tre prej lojtarëve më të rëndësishëm të Kosovës: Edon Zhegrova, Aro Muriq e Florent Muslija. Zhegrova së fundi ka shfaqur formën më të lartë prej lojtarëve të Kosovës, por vetëm në nivel klubesh. Muriq është portier i padiskutueshëm i Kosovës, ndërsa Muslija e fiton rastin kryesisht si zëvendësues. 

Të tre janë larguar nga grumbullimi i ekipit përfaqësues. Lajmi i papritur u bë i ditur të dielën në mesditë përmes sajtit zyrtar të FFK-së. Sipas njoftimit, vendimi është i përzgjedhësit Franco Foda dhe i Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërsa u mor “për shkak të thyerjes së Rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata”.

Largimi nga ekipi në prag të ndeshjes me Qipron nuk pritet të jetë masa e vetme ndaj tre lojtarëve.

“Për masat e mëtejme ndaj futbollistëve në fjalë do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së”, shkruan tutje në njoftim.

Ka pasur raportime se tre lojtarët kanë thyer rregullat duke dalë pa leje në klube nate gjatë periudhës së grumbullimit me Përfaqësuese.

Nga FFK-ja nuk kanë njoftuar për shkeljen që kanë bërë tre prej lojtarëve të rëndësishëm të Përfaqësueses.

Zhegrova, që startoi në ndeshjen e së premtes ndaj Rumanisë në “Fadil Vokrri”, ka bërë një postim në rrjete sociale.

“Lajme të rreme. Këto lajme janë të pavërteta dhe pa fakte. Do të flas në fushë, shihemi së shpejti. Krenar”, ka shkruar Zhegrova në postimin e bërë më disa fjalë në gjuhën shqipe e disa në gjuhën angleze.

Zhegrova, që po shkëlqen te Lille në Francë, edhe më herët ka pasur përplasje me drejtues të FFK-së dhe me përgjegjësit e Përfaqësueses. Ka dhënë edhe deklarata, prej të cilave është tërhequr më pas.

Portieri Aro Muriq ishte i suspenduar edhe në të kaluarën nga FFK-ja. Ka pasur raportime se kishte shkuar i dehur në stërvitje. Ndërkohë për Florent Muslijën, që luan në Bundesligë, nuk ka pasur ndonjë njoftim për shkelje të deritashme.

Pas arritjes në Larnaca të Qipros, selektori Franco Foda dhe kapiteni Amir Rrahmani mbajtën konferencë për shtyp. Por nuk e thanë asnjë fjalë për lojtarët e suspenduar. Në fakt, as nuk u pyetën për këtë. Në konferencë nuk kishte gazetarë nga Kosova, ndërsa Fodas iu bë vetëm një pyetje nga një gazetare qipriote.

Kjo në fakt është  vetëm goditja e radhës për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Ka shumë vjet që atmosfera nuk vlerësohet e duhura, e organizimi po ashtu. Ka pasur dyshime edhe për disiplinën e lojtarëve.

Kosovës po i mungojnë rezultatet, ndërsa humbja 3:0 nga Rumania të premten në Prishtinë vetëm ka konfirmuar krizën që vazhdon. 

Tjetër goditje pritet të vijë nga UEFA, për shkak të shkeljeve në ndeshjen me Rumaninë.

Ka pasur reagime të shumta publike, për e kundër, pas largimit të Zhegrovës, Muriqit e Muslijës.  Disa prej njohësve i kanë vlerësuar përgjegjës drejtuesit e FFK-së.

Por ky rast vetëm ka konfirmuar se Përfaqësuesja e Kosovës aktualisht është larg nivelit profesional që synon.

Largimi i tre lojtarëve mund të ketë ndikim edhe në paraqitjen ndaj Qipros. Ndeshja e Ligës së Kombeve mes Qipros dhe Kosovës zhvillohet të hënën nga ora 18:00 në Larnaca.