PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Si u bë shqiponja dykrenore pjesë e flamurit?

Fakte lidhur me shpalljen e Shqipërisë shtet i pavarur.

Si u shpall Pavarësia e Shqipërisë?

- Më 28 nëntor 1912, në orën 14:00, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve në vazhdim. Ata nënshkruan dokumentin historik për shpalljen e Shqipërisë shtet të pavarur dhe më pas flamuri kombëtar i Shqipërisë u ngrit madhërisht përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit.

Si u bë shqiponja dykrenore pjesë e flamurit?

- Shqiponja ka qenë simbol i rëndësishëm shqiptar që nga koha ilire. Me kohën ajo u kthye në shqiponjë dykrenore. Edhe pse pësoi ndryshime gjatë shekujve, ngjyra e kuqe dhe shqiponja e zezë me dy koka kanë qenë pjesë të flamurit shqiptar për shekuj me radhë.

Si u qëndis flamuri shqiptar?

- Flamuri shqiptar u qëndis nga Marigo Pozio sipas një modeli të mëhershëm të flamurit, në kohën kur ajo ishte vajzë e re. Këtë flamur ajo ia dha Ismail Qemalit, i cili e ngriti atë në Vlorë.

Si punohen veshjet popullore shqiptare?

- Veshjet tradicionale punohen me mënyra tradicionale, me disa makina të quajtura veg. Me veg tirret pëlhura nga e cila më pas qepen veshjet tradicionale. Në to bëhen edhe qëndisje të formave të ndryshme si trekëndësha, rombe dhe rrathë. Ngjyra më simbolike me të cilën punohen veshjet është e kuqja.