Përrallat janë krijime të veçanta, mjaft të vjetra, të cilat sjellin dëshirat dhe ëndrrat e njerëzimit në një formë shumë të bukur. Ato bartin në vete ngjarje fantastike, të cilat nxisin imagjinatën e lexuesve.
Në mënyrë që të bëhen më të njohura nga të gjithë, përrallat u shndërruan në filma të animuar, që shikohen nga një audiencë shumë e madhe. Mirëpo, disa nga këto përralla u shndërruan edhe në vallëzime. Baleti është njëri prej vallëzimeve që njihet për rikthimin në jetë të historive përrallore.
Ekzistojnë disa balete, të frymëzuara nga këto histori. Njëra prej tyre është Liqeni i Mjellmave, që ndryshe njihet edhe si baleti klasik më i preferuar në botë. Ky balet shfaq historinë e një princi me princeshën Odetë, e cila pasi mallkohet nga një magjistar, kthehet në një mjellmë. Odeta kalonte ditët e saj duke notuar si një mjellmë në një liqen, kurse natën kthehet në formën e saj të bukur njerëzore dhe takohet me princin. Liqeni i Mjellmave është konsideruar prej kohësh si një nga baletet më të kërkuara për t’u interpretuar, pasi përcjell ndjenja të mëdha të dashurisë, misterit dhe entuziazmit. Muzika, lëvizjet, skena dhe kostumet interesante e shndërrojnë Liqenin e Mjellmave në një kryevepër të vërtetë.

Më pas është përralla e njohur e Hirushes, që është një vajzë e cila punonte shumë dhe ëndrra e saj më e madhe ishte vallëzimi me princin. Për ta realizuar këtë dëshirë, Hirushes i ndihmoi kumbara e zanave, e cila e vizitoi atë dhe i shndërroi rrobat e Hirushes në një fustan shumë unik. Gjithashtu ajo e paralajmëron Hirushen se duhet të ketë kujdes me kohën, ngase në mesnatë magjia do të zhdukej. Kështu, Hirushja shkon në ballo, vallëzon së bashku me princin, por duke vrapuar që të mos e zë mesnata, asaj i humbet këpuca. E gjithë kjo histori, që përfundon me një fund të lumtur, është shndërruar në një balet të mahnitshëm. Rolet e shumta që përmban kjo shfaqje e shtojnë edhe më shumë veçantinë që mbart me vete kjo histori.

Duke u bazuar në një përrallë të përjetshme, Bukuroshja e Fjetur është një nga baletet më të dashura dhe magjepsëse në botë. Me muzikë të jashtëzakonshme dhe kostume të mrekullueshme, ky balet tregon historinë e princeshës Aurora. Në ditën e lindjes së saj vijnë zanat t’i dhurojnë dhurata të bukura, por ekzistonte një zanë e ligë, e cila e mallkoi atë. Mallkimi i saj ishte që në ditëlindjen e 16-të, Aurora do të shponte gishtin dhe kështu do të binte në një gjumë 100-vjeçar dhe mund të zgjohet nga gjumi vetëm përmes princit. Personazhi i princeshës Aurora shpreh kombinimin e bukurisë, mirësisë dhe pastërtisë. Të gjitha këto shfaqen përmes koreografisë dhe kjo e bën këtë balet shumë tërheqës.
Të gjitha këto përralla të realizuara në mënyrë të mrekullueshme në balet sjellin një botë magjike që nxit emocione të këndshme te secili prej nesh.
-
“Liqeni i mjellmave” sinkronizon gjenerata në hap për të ardhmen e baletit
-
Martina Arduino – mjellma e veprave përrallore nga “La Scala” në Prishtinë
-
Hapat magjikë të Janës dhe rruga e saj në botën e baletit
-
Magjia e Vallëzimit: Një Udhëtim në Botën e Baletit
-
“Arrëthyesi” me magjinë e baletit botëror