A keni dëgjuar për disa profesione shumë interesante që ekzistojnë në botë, sikurse statujat e gjalla, maskotat dhe shijuesit e çokollatës. Këto janë profesione jo shumë të zakonshme dhe që nuk i hasim gjithmonë. Mirëpo tani do të mësojmë për secilën prej tyre.
Në hapësira të shumta janë të vendosura statuja të personazheve të ndryshme. Ato i shtojnë bukurinë vendit ku vendosen. Por a keni dëgjuar se ekzistojnë edhe statuja të gjalla? Përveç statujave që krijohen nga artistët prej materialeve të llojllojshme, ka edhe statuja të gjalla, ku njerëzit vishen dhe e ngjyrosin trupin sikurse një personazh i caktuar. E më pas qëndrojnë pa lëvizur në ndonjë rrugë apo shesh publik. Që të keni këtë profesion ju duhet të keni një durim shumë të madh dhe kontroll fizik, sepse është shumë e vështirë të qëndroni për një kohë të gjatë pa lëvizur. Ky profesion edhe pse është i vështirë, prapëseprapë sjell kënaqësi si tek audienca ashtu edhe tek personi që e praktikon atë. Nëse ju pëlqejnë sfidat, provojeni në shtëpitë tuaja dhe shikoni se sa mund të qëndroni pa lëvizur.
E kur jemi tek personazhet, mënyra më e bukur për të bërë realitet ëndrrat tona nga filmat vizatimorë është përmes maskotave. Maskotat janë personazhe të ndryshme që realizojnë aktivitete duke qenë me një kostum të caktuar. Dhe ky është profesion më vete, pasi që ka persona të caktuar që e bëjnë këtë punë. Qoftë programe për fëmijë, vallëzim, këndim, lojëra apo aktivitete të tjera interesante. Ju i pëlqeni shumë maskotat, sidomos kur janë të veshura me kostumin e personazhit tuaj të preferuar. Ky profesion është shumë argëtues, sepse gjatë aktiviteteve kënaqeni shumë, takoni njerëz të rinj dhe i gëzoni shumë të gjithë. Por ka edhe vështirësinë e vet. Në qoftë se jeni një person i tillë, atëherë të gjitha këto aktivitete do t’i realizoni brenda një trupi që është shumë më i madh sesa trupi juaj. Po ju fëmijë, a do të dëshironit të provonit këtë profesion ndonjëherë. Nëse po, cili personazh do të dëshironit të ishit?
Përveç këtyre dy profesioneve shumë të veçanta, ekziston edhe një profesion tjetër, të cilin jam e sigurt se do ta pëlqeni. Ju të gjithë i doni çokollatat, apo jo? Por a keni dëgjuar se është një profesion, i cili u ofron mundësinë që të provoni çokollata nga më të ndryshmet? Ky profesion njihet me emrin shijues i çokollatës. Personat që kanë këtë profesion shijojnë çokollata të ndryshme çdo ditë. Gjithashtu udhëtojnë nëpër botë për të kërkuar lloje të reja të çokollatave dhe për të shikuar se cili lloj po pëlqehet më së shumti. Me siguri ju që jeni adhurues të çokollatës po mendoni se ky është profesioni ideal për ju. Por mos harroni se çokollatat mund t’ ju shtojnë peshë, kështu që në pjesën tjetër të kohës duhet të hani ushqime të shëndetshme dhe ta vizitoni rregullisht dentistin.
Pra, këto ishin tri profesione jo shumë të zakonshme, mirëpo shumë interesante dhe zbavitëse. Po ju fëmijë çfarë dëshironi të bëheni kur të rriteni? Dëshironi ndonjërin nga këto profesione apo ndonjë punë krejtësisht ndryshe? Mos harroni se pavarësisht se cilin profesion zgjidhni, ai do t’ju argëtojë juve pa masë!