PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Programi Fluturues i Fëmijëve, me një edicion kushtuar mësimit përmes lojës me lego

Në këtë edicion, Programi Fluturues i Fëmijëve na mundëson të shohim nga afër se si mund të ndërtojmë një kamion zalli duke përdorur vetëm legot.

Përveç kësaj ju do të keni mundësi të njiheni edhe me fizikën që qëndron prapa funksionimit të këtyre mjeteve duke e bërë kështu të mundur takimin mes botës së mrekullueshme të shkencës dhe lojës.

Gjithashtu përmes këtij edicioni mund të sfidoni veten përmes rubrikave “Kuiz” dhe “Gjëegjëzë”.


Të mësuarit përmes lojës me lego

Qëllimi kryesor i mësimit është ndërtimi në faza i një modeli që demonstron temën e mësuar duke përdorur blloqet ndërtuese, të ashtuquajtura “lego”.

Kjo formë e të mësuarit nxit aftësitë e planifikimit dhe menaxhimit të kohës, inkurajon të menduarit e pavarur krijues, zhvillon aftësinë për të analizuar inxhinierinë dhe proceset, zgjeron njohuritë për ligjet e fizikës dhe dukuritë e ndryshme natyrore, përmirëson njohjen hapësinore, kultivon ndjenjën e vetefikasitetit dhe zgjeron aftësitë e komunikimit ndërpersonal.

“Young Engineers Prishtina” u ofron nxënësve të moshës 4 deri 16-vjeçare bazat e njohurive praktike nga Shkenca, Teknologjia, Programimi, Inxhinieria dhe Matematika (STEM).

Qëllimi i këtyre sesioneve me nxënës dhe mësimdhënës është që të demonstrojë që të mësuarit përmes lojës është i mundur.

Gjatë gjithë kohës, nxënësit janë të përkushtuar ndaj punës dhe me vëmendje i përcjellin të gjitha udhëzimet që i kanë përballë.

Secila faqe e katalogut të udhëzimeve përmban të dhëna për mënyrën se si ndërtohet kamioni, duke filluar prej udhëzimeve më të thjeshta e deri tek ato të cilat i japin formën përfundimtare lodrës.

Me durim, praktikë dhe përkushtim ju arrini të krijoni objekte nga përditshmëria.

Thjesht duhet të keni guxim dhe vetëbesim!


Gjeni gjëegjëzën

Ai ka një mi, shumë butona

dhe një monitor.

I tëri është një mrekulli.

A e dini se kush është?


Kuiz për fëmijë - Në cilin vit u dërgua e-maili i parë në botë?

a) 1970

b) 1971

c) 1972

 


Si të krijojmë një faqeshënues nga letra?

Rubrika e punëdores na mëson se si të ndërtojmë një faqeshënues prej letre duke përdorur vetëm letër me ngjyra dhe ngjitës letre.