Kudo jemi të rrethuar me praninë e llojeve të ndryshme të sporteve. Secili prej tyre përmban karakteristika që i bën të dallueshme mes vete dhe të veçanta në mënyrën se si luhen. Mirëpo, një sport shumë unik që përfshin njëkohësisht edhe artin dhe shkencën është shahu.
Shahu është një lojë strategjike, që luhet nga dy lojtarë në një tabelë katrore e përbërë nga 64 katrorë. Secili lojtar fillon lojën me 16 figura: një mbret, një mbretëreshë, dy torra, dy kuaj, dy oficerë dhe tetë ushtarë. Çdo figurë kryen lëvizje të ndryshme në fushë. Qëllimi i shahut është zënia mat e mbretit të kundërshtarit duke e vendosur nën një kërcënim të pashmangshëm. Deri të arrihet në këtë pikë, figurat një lojtari përdoren për të sulmuar dhe eliminuar figurat e kundërshtarit.
Një interesim të madh ndaj shahut kanë treguar të rinjtë e klubit të shahut “Rahoveci”, të cilët me shumë pasion kanë filluar praktikimin e kësaj loje. Klubi i shahut “Rahoveci” është formuar në vitin 1957 para se te formohej Federata e Shahut të Kosovës. Ky klub me një traditë shumë vjeçare në sportin e shahut ka nxjerrë gjenerata të shumta të arta me suksese të larta ekipore dhe individuale.
Të rinjtë e këtij klubi kanë marrë pjesë në gara të ndryshme shtetërore dhe ndërkombëtare, duke fituar çmime, shumë prej tyre edhe vendet e para. E gjithë kjo është realizuar falë punës së vazhdueshme. Mirëpo, më shumë rreth dashurisë që kanë ndaj shahut dhe ëndrrave të tyre na treguan shahistët e rinj të këtij klubi.
I gjithë ky sukses i vazhdueshëm i klubit “Rahoveci” do të ishte i pamundur pa këshillat e mjeshtrit të shahut Sabahudin Kollari, Kampion i Kosovës për vitin 2003.
Përveç argëtimit që sjell, shahu është një lojë që kërkon mendim strategjik, planifikim dhe analizë të kujdesshme të tabelës. Ky sport përmirëson të menduarit kritik dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve, zhvillon kreativitetin, imagjinatën, memorien dhe koncentrimin. Gjithashtu rrit vetëbesimin dhe u mëson të rinjve aftësi të ndryshme sociale.
Pra, shahu ju fton që ta sfidoni veten duke e luajtur këtë lojë dhe të përfitoni shumë nga ai.
-
25 maj 2023 15:13
-
Shpërndaje në: