Pas një jave me mësime dhe aktivitete të ndryshme, fëmijët me padurim presin vikendin. Ata dëshirojnë të kalojnë kohë sa më kualitative dhe të argëtohen në sa më shumë mënyra.
Për ta kaluar një vikend përlot me emocion dhe argëtim, shumë fëmijë kishin shkuar për të parë një shfaqje shumë interesante teatrale për fëmijë. “Eli” është titulluar kjo shfaqje, që u dha në teatrin “Dodona”.
Fëmijët filluan ta shikojnë atë me shumë entuziazëm. Në këtë shfaqje bëhej fjalë për një balerinë dhe elefantin Eli, që është personazhi kryesor. Gjatë lojës së aktorëve dëgjoheshin shumë të qeshura e duartrokitje nga të vegjlit. Ata po ashtu mësuan edhe mesazhin që përcillej me shumë emocion nga interpretimi i aktoreve.
Regjisorja e shfaqjes, Fata Hyseni, tregon se si u përgatit kjo shfaqje dhe për rëndësinë që ka një mesazh i tillë për fëmijët.
Pasi shfaqja u përmbyll me mesazhin shumë domethënës, të vegjlit u ngritën nga ulëset e tyre dhe filluan të ngjiten shkallëve të skenës për t’i përqafuar aktoret. Me shumë përqafime e foto, kjo shfaqje u mbyll në mënyrën më të bukur të mundshme.