Lojërat Olimpike janë garat më të mëdha të sportit në botë dhe organizohen çdo katër vjet.
Këtë vit ato po mbahen në Tokio, e me këtë rast në Prishtinë është organizuar Festivali Olimpik “Tokio 2020”, në mënyrë që fëmijët ta vizitojnë e të mësojnë më shumë për këto lojëra.
Zyrtarja e Komitetit Olimpik të Kosovës, Rejan Halili, tregon më shumë për aktivitetet që po mbahen dhe për vizitorët e vegjël të festivalit.
Çdo ditë, fëmijë të moshave të ndryshme, vijnë në festival dhe argëtohen, e në të njëjtën kohë ndihen më afër Lojërave Olimpike, të cilat i duan shumë.
Këtë herë, pjesë e festivalit është edhe grupi i Down Syndrome Kosova nga dega në Mitrovicë. Ata po kënaqen shumë e po provojnë disa prej sporteve të tyre të preferuara.
Interesimi është i madh dhe fëmijët nuk mungojnë. Disa e vizitojnë festivalin bashkë me shokët e kopshtit, e disa me prindër. Por, për të gjithë kjo është një eksperiencë e veçantë.