PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

A e dini si krijohen ngjyrat e drurit?

Ngjyrat e drurit bëhen nga druri i pastër në formë të shufrave. Shufrat e drurit pastaj shpohen për së gjati dhe kështu krijohet vend për lëndën grafitë, që mund të ketë ngjyra të ndryshme. Sa herë që ngjyra harxhohet, lapsi duhet të mprehet.

Tani e dimë se si bëhen lapsat me ngjyra, po a e dini ju se…

-Si funksionon stilolapsi?

Lapsi kimik apo stilolapsi mund të shkruajë falë një topthi që e ka në majë. Kur provojmë të shkruajmë, ky topth rrëshqet në letër dhe në mënyrë delikate lëshon sasi të vogla të ngjyrës.

-Si bëhet ngjitësi i bardhë i letrës?

Ngjitësi, i cili përdoret në shkollë për të ngjitur letra bëhet prej disa përbërësve shumë të thjeshtë. Ai mund të bëhet nga niseshteja e orizit, miellit apo patates. Nëse e përziejmë miellin me pak sheqer dhe ujë mund të krijojmë vetë në shtëpi ngjitësin e bardhë.

-Si bëhen ngjyrat temper?

Ngjyrat temper marrin ngjyrën nga pigmentet, që janë në formë të pluhurit të imët. Pigmenti përzihet me ujë dhe gomë arabe (një pluhur lidhës) dhe kështu fitohet ngjyra temper në formë të pastës.