Plisi apo qeleshja është simbol tradicional tek shqiptarët. Ai është mbulesë e kokës prej leshi që përdoret vetëm në trojet shqiptare.
Punimi i plisit është proces i gjatë dhe i vështirë, punë kjo që është përcjellë brez pas brezi, raporton PFF në Kohavision.
Për punimin e tij nevojitet leshi i bardhë i deleve, i cili pas disa hapave merr formën e plisit.
Së pari bëhet përgatitja e leshit të deles me anë të makinave të veçanta. Këto makina i ndajnë fijet e leshit dhe i shprishin ato, duke i përgatitur për përpunim. Leshi gjithashtu pastrohet me dorë për të larguar pikat ose njollat e zeza.
Pasi leshi të pastrohet dhe të përgatitet, fillon procedura e forcimit të plisit. Kjo bëhet duke e përzier leshin me ujë të nxehtë.
Ai shtypet me duar, si dhe largohet uji i tepërt deri kur të forcohet mirë dhe të jetë gati të marrë formën.
Kur forcohet dhe thahet, ai futet në një kallëp dhe ngjeshët me anë të gurit. Kështu, plisi e merr formën e vet.
Zakonisht plisi mbahet si pjesë e kompletit të veshjeve folklorike dhe në festa të ndryshme tradicionale.
Në disa fshatra ai ende mbahet nga të moshuarit, të cilët vendosjen e plisit e kanë traditë të trashëguar nga brezat e kaluar.
Kohët e fundit plisi përdoret vetëm i bashkangjitur me veshjet kombëtare të cilat përdoren për festat e popullit shqiptar, e jo si një kapele që vendoset në jetën e përditshme. Por gjithsesi, plisi do të mbetet gjithmonë simbol i rëndësishëm i traditës shqiptare.