Arbëri

Lulzim Ejupi emërohet jashtëligjshëm sekretar i përgjithshëm në MPB

As Ligji për shërbyesit civilë dhe as Rregullorja për procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, nuk janë respektuar nga Qeveria e Kosovës gjatë emërimit të Lulzim Ejupit në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vërejtje ndaj këtij vendimi i kanë shprehur edhe disa nga ministrat e qeverisë Mustafa, shkruan sot Koha Ditore.

Emërimi i Ejupit është bërë të mërkurën, një javë pasi sekretari Driton Gashi kaloi në krye të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Deri para emërimit, Ejupi ka punuar në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Regjistrimit Civil në MPB.

Vendimin e Qeverisë për emërimin e sekretarit të ri të MPB-së, shoqëria civile e ka cilësuar të kundërligjshëm. I ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që të kërkojë llogari nga ministria rreth këtij procesi. Në anën tjetër, anëtarë të Komisionit për Punë të Brendshme kanë paralajmëruar thirrjen e një mbledhjeje të veçantë për të kërkuar sqarime për këtë vendim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, i ka propozuar Qeverisë, të mërkurën, që të emërojë për sekretar Lulzim Ejupin, me arsyetimin se kjo pozitë ka mbetur bosh qe një javë.

Para votimit, ky propozim u kundërshtua nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, si dhe nga ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi. Ata kërkuan që fillimisht të hapet konkursi e pastaj të emërohet Ejupi. 
(Shkrimin e plotë lexojeni sot në Koha Ditore)