Paris 2024

Përshëndetja e mundësit të jashtëzakonshëm nga Kuba

Mijain Lopez

Mijain Lopez

Në fund, i vetëm në arenën e mundjes, me emrin e tij që kumbonte nga tifozëria e zhurmshme, Mijain Lopez hoqi këpucët sportive. I vendosi ato në qendër të arenës dhe u largua nga Lojërat e gjashta Olimpike si olimpisti më i madh i të gjitha kohërave.

Duke fituar titullin e pestë olimpik radhazi në stilin greko-romak të mundjes, si askush më parë, vetëm dy javë para ditëlindjes së 42-të, Lopez e bëri këtë të duket e lehtë, në një natë historike në arenën Champ de Mars në Paris.

Në finale të kategorisë së rëndë, përkatësisht të kategorisë deri në 130 kilogramë, Lopezi mposhti partnerin e tij shumëvjeçar të stërvitjes dhe bashkëatdhetarin e dikurshëm, Yasmani Acosta Fernandez me rezultatin 6:0. Fernandez tani e prezanton Kilin.

Rrugëtimi i Acosta Fernandez drejt medaljes së argjendtë është pothuajse aq i jashtëzakonshëm sa rruga e Lopezit drejt të artës. Tani 36-vjeçar, ai e kaloi karrierën në mundje nën hijen e sportistit më legjendar të Kubës. Ndonëse kishte talent të jashtëzakonshëm, Fernandez nuk ishte në gjendje të garonte për Kubën në skenë më të madhe. Kjo pasi Lopez, i cili garoi për herë të parë në Athinë si 21-vjeçar, gjithmonë zinte vendin e vetëm në dispozicion.

Si në xhudo e disa sporte tjera, në Lojëra Olimpike lejohet nga një garues i një vendi për kategori.

I zhgënjyer, Acosta Fernandez bëri një udhëtim për në Kili në vitin 2015 dhe nuk u kthye më në Kubë. Ai punoi si roje sigurie, ndërsa aplikoi për shtetësi të Kilit. Filloi të përfaqësonte vendin nga Amerika e Jugut në vitin 2017.

“Në Kubë unë isha gjithnjë pas tij. Kam stërvitur me të çdo ditë për nëntë vjet”, ka thënë Acosta Fernandez.

“Unë vërtetë e vlerësoj atë. Por ju duhet t’i kuptoni rrethanat. Unë qaja kur shihja Olimpiadat, sepse kishte shumë mundës që i kisha mposhtur. U largova nga Kuba për të realizuar një ëndërr. Kur dikush lë diçka për të ndjekur një ëndërr ai nuk është dezertues. Unë e dua shumë Kubën, njëjtë sa edhe Kilin”.

Tani Acosta Hernandez  ka medalje të argjendtë olimpike. I  njohur si “I Tmerrshmi”, Acosta Hernandezi ka një rast për medalje të artë olimpike, nëse kthehet në Los Angeles 2028.

Por në Paris, pas më shumë se dy dekadash në kulmin e sportit të mundjes, ky nder mund t’i takonte vetëm Lopezit.

Mundësi i jashtëzakonshëm nuk derdhi asnjë lot. Festoi duke ngritur grushtat drejt qiellit përpara se të merrte trajnerin e tij që qante dhe ta përplaste me dashuri në dyshemenë e mundjes.

Vetëm më pas ai hyri sërish në arenë. Hoqi ngadalë këpucët sportive, duke u përshëndetur me sportin që e dominoi aq gjatë. Është i vetmi sportist që ka fituar pesë tituj olimpikë rresht në ngjarjen e njëjtë. Pra Lopez është vetë historia e mundjes dhe jo vetëm.

Ai të martën hyri në arenë si mundësi, por doli prej saj si i pavdekshëm i sportit.