Paris 2024

Një vit pasi la Francën, Nemour siguron të artën për Algjerinë

Kaylia Nemour

Kaylia Nemour

Tinejxheres algjeriane, Kaylia Nemour iu mbushën sytë me lot pasi ia siguroi Algjerisë medaljen e artë në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris. Ajo u bë sportistja e parë afrikane që fiton medalje të artë olimpike në gjimnastikë.

Ajo në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” të dielën fitoi medalje të artë në disiplinën e paraleleve të shkallëzuara.

Ajo shkëlqeu dhe la nën hije emra të mëdhenj të gjimnastikës në këtë disiplinë, dhe e siguroi medaljen e parë për shtetin e saj Algjerinë në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris.

17-vjeçarja e cila u lind në Francë mori vëmendjen e shumë të pranishmëve në “Bercy Arena” të dielën dhe e fitoi titullin e më të mirës para kinezes, Qiu Qiyuan.

Sunisa Lee e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u stolis me medalje të bronztë.

Nina Derëael e Belgjikës që ishte kampione olimpike në paralele të shkallëzuara, përfundoi e katërta.

Nemour ishte nën presion pasi Qiyuan mblodhi fillimisht 15.500 pikë, por më pas algjeriania shkëlqeu me lëvizje dhe grumbulloi 15.700 pikë.

Ajo bëri lëvizje të shpejta, të kombinuara me manovra të ndryshme, nga të cilat u mahnit edhe publiku i pranishëm.

Posa zbriti në dysheme, Nemour u pa me lot në sy, duke e ditur se ka bërë mjaftueshëm që t’ia sigurojë shtetit të saj medaljen e parë të artë në gjimnastikë, dhe të parën medalje në “Parisi 2024”.

Edhe më emocionuar u pa kur iu konfirmua triumfi. Ajo mori flamurin e Algjerisë, ndërsa nga tribunat mori duartrokitje të fuqishme.

“Jam e shokuar. Është realizuar ëndrra e jetës time. Nuk po mund ta besoj që ndodhi. Jam pa fjalë”, ka thënë Nemour.

“Në kualifikime kisha 15.600 pikë. Kur e pash atë që kishte 15.500 pikë, e dija se duhej të luftoja shumë dhe ta shfaqja paraqitjen e jetës sime. Është çmenduri. Jam shumë e nderuar që e kam fituar këtë medalje pas gjithë asaj që ka ndodhur. Është çlirim për mua”, ka theksuar gjimnastja e talentuar 17-vjeçare.

Nemour iu bashkua Algjerisë vitin e kaluar pas mosmarrëveshjeve me Federatën e Gjimnastikës së Francës.

Federata franceze e pengoi atë të paraqitej në gara për arsye shëndetësore. Ajo vendosi më pas ta përfaqësojë vendlindjen e babait të saj, Algjerinë.

Pavarësisht se e përfaqësoi Algjerinë, ajo gjeti mbështetje të zjarrtë në palestrën “Bercy Arena” të Parisit.

Tifozët kanë brohoritur në arenën e mbushur plot në momentin kur ajo e përfundoi me sukses paraqitjen e saj në disiplinën e paraleleve të shkallëzuara të gjimnastikës.