Ky është një rrugëtim i ngutshëm, sfidues, por i arritshëm – një proces që kërkon vendosmëri dhe bashkëveprim për ripërtëritjen demokratike të vendit. Shqiptarët meritojnë një rend demokratik të denjë, që jo vetëm përmbush aspiratat e tyre politike dhe shoqërore, por edhe e siguron të ardhmen e Shqipërisë të rrënjosur fuqishëm në Bashkimin Evropian
Tridhjetë e pesë vjet pas daljes së Shqipërisë nga një prej diktaturave komuniste më të ashpra në Evropë, rrugëtimi i saj demokratik përfaqëson një rast tipik të tranzicioneve post‑autoritariste, duke dëshmuar premtimin për një ripërtëritje politike, por njëkohësisht duke nxjerrë në pah pengesat e konsolidimit të qëndrueshëm. Në këtë sfond, zgjedhjet parlamentare të majit 2025 marrin peshën e një prove të gjallërisë demokratike dhe të aftësisë së vendit për të shndërruar proceset reformuese në praktikë institucionale demokratike.
Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama siguroi një fitore të thellë, duke marrë 83 nga 140 mandate parlamentare, ndërsa opozita e udhëhequr nga Sali Berisha pësoi një humbje të ndjeshme, duke marrë vetëm 50 vende.
Vëzhguesit ndërkombëtarë e vlerësuan procesin zgjedhor si teknikisht të administruar mirë, por theksuan klimën e thellë të polarizimit dhe fushën e pabarabartë të garës. Raporti përfundimtar i ODIHR-it thekson përdorimin e gjerë të burimeve shtetërore, blerjen e votës, frikësimin e mbështetësve të opozitës dhe qasjen e pabarabartë në media. Këto parregullsi nxorën në pah brishtësinë e demokracisë shqiptare.
Në vitet që vijnë, veçanërisht gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar, rrugëtimi demokratik i Shqipërisë do të varet nga aftësia për të përshpejtuar ritmin e reformave dhe njëkohësisht për të trajtuar dobësitë e sistemit politik. Ky ndërveprim ofron kornizën për vlerësimin e bilancit të arritjeve të Ramës dhe për shqyrtimin e dinamikave më të gjera të pushtetit dhe brishtësisë që përcaktojnë peizazhin politik shqiptar.
Bilanci i arritjeve
Rama nis një mandat të katërt të pazakontë, me një mbështetje të fuqishme politike. Ai e ka paraqitur fitoren e tij si një mundësi historike për të thelluar reformën në drejtësi, modernizimin administrativ dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në dhjetë vjetët e fundit, Shqipëria ka përjetuar transformime të dukshme: rritje të qëndrueshme ekonomike me një mesatare prej rreth 4 për qind të PBB-së, ulje të varfërisë dhe zgjerim të turizmit. Projekte madhore infrastrukturore, nga autostradat dhe lidhjet energjetike te modernizimi i porteve, kanë ndryshuar peizazhin ekonomik. Reformat në drejtësi, veçanërisht procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë forcuar besueshmërinë e sistemit gjyqësor, ndërsa reformat administrative kanë thjeshtuar qeverisjen dhe kanë pakësuar mangësitë në funksionim. Këto përpjekje të Shqipërisë kanë gjetur vlerësim ndërkombëtar dhe e kanë shndërruar Ramën në një figurë me peshë në rajon.
Duke u mbështetur mbi këto arritje, Rama synon ta përgatisë vendin për anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030. Raporti i Zgjerimit i Komisionit Europian për vitin 2025 vlerësoi dinamizmin e reformave dhe sinjalizoi se anëtarësimi brenda pesë viteve është një synim i realizueshëm. Ky optimizëm pasqyron jo vetëm reformat e brendshme, por edhe qasjen dinamike të Shqipërisë në politikën e jashtme. Si anëtare e NATO-s që prej vitit 2009, Shqipëria është angazhuar në operacionet e aleancës dhe në sigurinë rajonale, duke u përafruar ngushtë me politikat e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Shqipëria shihet si një ndër vendet kryesuese në negociatat e anëtarësimit, pasi ka përparuar ndjeshëm në një numër kapitujsh negociues.
Programi qeveritar i miratuar nga parlamenti në shtator 2025 e përcakton integrimin evropian si boshtin strategjik të Shqipërisë. Plani i veprimit parashikon mbylljen e kapitujve të negociatave deri në vitin 2027, thellimin e reformave në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, forcimin e lirisë së medias dhe qëndrueshmërisë institucionale, si dhe modernizimin e administratës publike.
Megjithatë, vlerësimet mbi cilësinë e demokracisë nënvizojnë brishtësinë e vazhdueshme. Freedom House e klasifikon Shqipërinë si “pjesërisht të lirë,” ndërsa Indeksi i Demokracisë i Economist Intelligence Unit e rendit si “regjim hibrid.” Raporti i Transparency International për vitin 2024 e vendos Shqipërinë në vendin e 80-të në botë për perceptimin e korrupsionit, një përmirësim i vogël krahasuar me vitet e shkuara, por ende ndër më të korruptuarat në Europë.
Këto vlerësime pasqyrojnë faktin se institucionet demokratike të Shqipërisë, ndonëse tregojnë ritëm reformues, vazhdojnë të shfaqin brishtësi strukturore.
Pushtet i përqendruar, demokraci e dobësuar
Forcimi i pushtetit nga Rama është i pashembullt dhe shtrihet pothuajse në të gjitha levat e qeverisjes, si në nivel kombëtar ashtu edhe vendor. Stili i tij i udhëheqjes – një ndërthurje e autoritetit karizmatik, mjeshtërinë në përdorimin e medias dhe disiplinës së rreptë ekzekutive – ka arritur të rrisë mbështetjen dhe të ruajë dinamizmin politik. Por nën sipërfaqen e këtij konsolidimi qëndron një kornizë e brishtë e qeverisjes, e gërryer nga vendimmarrja e personalizuar, dobësimi i institucioneve, korrupsioni, ndikimi i medias dhe klientelizmi i rrënjosur.
Rama qeveris në një mjedis të mbyllur, ku mungesa e transparencës dhe dobësimi i llogaridhënies përcaktojnë peizazhin politik. Vendimmarrja është bërë skajshmërisht personale. Parlamenti është kthyer në një organ formal miratues, ndërsa Partia Socialiste vepron kryesisht nën hijen e autoritetit të Ramës. Debati pothuajse mungon, konsultimet janë të rralla dhe kundërshtimi nuk tolerohet. Së fundmi, programi i qeverisë dhe kabineti u miratuan pa asnjë diskutim parlamentar. Emërimet në kabinet u bënë në mënyrë të njëanshme dhe ministrat, sipas raportimeve, mësuan për rolet e tyre gjatë fjalimeve publike të Ramës. Konkurrenca e vërtetë politike është gërryer, kurse opozita e copëzuar lufton për mbijetesë. Ndërsa personalizimi i pushtetit mund të përshpejtojë miratimin e ligjeve dhe vendimmarrjen, ai rrit rrezikun e tejkalimit ekzekutiv dhe gërryen parimin e qeverisjes kolektive – idenë se vendimmarrja duhet të jetë e përbashkët, e menduar dhe llogaritdhënëse.
Mungesa e llogaridhënies politike ka thelluar cenueshmëritë socioekonomike të vendit. Institucionet mbeten të papërgatitura për të përballuar varfërinë, pabarazinë dhe largimin e kapitalit njerëzor. Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet më të varfra të Evropës, me mbi një të pestën e popullsisë që jeton nën kufirin relativ të varfërisë. Pasuria është e përqendruar te një elitë e ngushtë e lidhur me rrjetet politike dhe ekonomike, ndërsa shëndetësia dhe arsimi mbeten të nënfinancuara dhe me qasje të pabarabartë për qytetarët. Mungesa e investimeve ka zgjeruar hendekun e aftësive dhe ka përshpejtuar ikjen e trurit, me rreth 700 mijë shqiptarë, kryesisht profesionistë të rinj, që kanë emigruar gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit.
Këto sfida socioekonomike thellohen më tej nga korrupsioni, i cili ka gërryer besueshmërinë institucionale. Rama ka ngulitur një sistem favorizimi politik, kontraktimesh të paqarta dhe pasurimi të elitave. Shkrirja e interesave politike dhe ekonomike ka ushqyer një dinamikë kleptokratike, duke mundësuar korrupsionin, duke lejuar futjen e krimit të organizuar në institucionet e shtetit dhe duke dobësuar pavarësinë e gjyqësorit dhe të medias.
Prokurimet publike dhe projektet infrastrukturore shpesh kanë shërbyer si mekanizma për përfitime të paligjshme, duke pasuruar zyrtarë të lartë dhe rrjete të afërta me qeverinë. Skandalet e bujshme që përfshijnë figura të larta politike si Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Ilir Beqja, Lefter Koka, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku pasqyrojnë një skemë më të gjerë të abuzimit elitar. Në shtator, Rama e riemëroi Ballukun si zëvendëskryeministre dhe ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë, posti i dytë më i rëndësishëm në kabinet, pavarësisht akuzave të vazhdueshme për korrupsion. Pas ngritjes së akuzës ndaj saj për manipulimin e tenderëve publikë në projektin e Tunelit të Llogarasë, ai hodhi poshtë thirrjet për dorëheqjen e saj, duke dhënë shenjë të gatishmërisë për të mbrojtur besnikët edhe në kurriz të besueshmërisë institucionale. Qëndrimi i tij u kthye në një plagë të rrezikshme, të vetëshkaktuar: Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e shkarkoi Ballukun nga detyra – një vendim që për Ramën përfaqëson një zhvillim poshtërues dhe nxjerr në pah paaftësinë e tij për të vepruar me vendosmëri, edhe në raste që mund të kthehen në goditje kundër udhëheqjes së tij.
Rasti i Ballukut dhe skandalet e tjera të bujshme hedhin dyshime mbi angazhimin e shpallur të Ramës për qeverisje të pastër dhe theksojnë barrën e pashmangshme të përgjegjësisë së tij politike. Këto raste nuk janë të izoluara; ato pasqyrojnë një kulturë të pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të qeverisjes, ku zyrtarë të lartë shfrytëzojnë postet publike për përfitime personale. Sjelljet abuzive janë shndërruar në normë, ndërsa mekanizmat e llogaridhënies janë dobësuar vazhdimisht nën mbrojtjen e ekzekutivit. Edhe pse Rama ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje personale, si kryeministër ai mban përgjegjësinë për të garantuar llogaridhënie, për të përballur abuzimet e zyrtarëve të lartë dhe për të siguruar që standardet demokratike të mos komprometohen. Në fund, barra e përgjegjësisë i mbetet atij.
Krimi i organizuar është ngulitur në ekonominë formale, veçanërisht në ndërtim, turizëm dhe në sektorin e pasurive të paluajtshme. Indeksi i Krimit të Organizuar 2025 nënvizon cenueshmërinë e Shqipërisë dhe nxjerr në pah rrënjosjen e rrjeteve kriminale dhe shkallën e lartë të kapjes së shtetit. Raporti vjetor i Komisionit Evropian nënvizon dobësitë e vazhdueshme në sundimin e ligjit, qeverisjen dhe korrupsionin, duke theksuar brishtësinë e institucioneve shqiptare, pavarësisht përpjekjeve reformuese. Lejet e ndërtimit dhe projektet imobiliare shpesh lidhen me financime të paqarta dhe rrjete kriminale, çka tregon se zbatimi i ligjit mbetet i dobët dhe i njëanshëm. Kjo krijon një kundërthënie të qartë: kontrolli i fortë i Ramës mbi pushtetin është ndërthurur ngushtë me vetë strukturën e sistemit. Nëse ai sfidon interesat e rrënjosura korruptive brenda sistemit, rrezikon të minojë themelet e sundimit të vet.
Këto prirje korrupsioni dhe kapjeje shtetërore përforcohen nga një peizazh mediatik i kooptuar dhe i kufizuar, që ngushton më tej hapësirën demokratike dhe dobëson mbikëqyrjen publike. Pavarësisht një peizazhi formalisht pluralist, media shpesh pasqyron narrativat partiake. Kjo buron nga një përzierje toksike e përvetësimit politik, pronësisë së përqendruar dhe taktikave frikësimi. Rama ka ushtruar ndikim mbi mediat kryesore përmes patronazhit dhe afërsisë me pronarët. Sulmet e tij ndaj gazetarëve, shpesh të shoqëruara me përçmim dhe kërcënime, kanë ftohur raportimin dhe kufizuar më tej mbikëqyrjen publike. Shumë pronarë mediash, biznesmenë që përfitojnë nga kontratat shtetërore, veprojnë si ndërmjetës të pushtetit, duke siguruar mbulim të favorshëm dhe duke penguar publikimin e njoftimeve të dëmshme. Si rrjedhim, mediat kryesore në përgjithësi përqendrohen te mangësitë e opozitës, ndërsa shkeljet të institucionalizuara nën qeverisjen e Ramës rrallëherë bëhen objekt i një analize sistematike dhe të qëndrueshme. Edhe gjatë krizave, debatet televizive me zëra gjoja të pavarur shpesh shmangin vëzhgimin kritik të partisë në pushtet, duke u përqendruar në vend të tij te gabimet e opozitës. Kjo prirje, nën petkun e pavarësisë, pasqyron një përputhje më të thellë mes pushtetit politik dhe ndikimit mediatik. Paraqitja e njëanshme shtrembëron debatin publik dhe në mënyrë të tërthortë lehtëson konsolidimin e pushtetit, duke zhvendosur vëmendjen nga shkeljet dhe duke dobësuar mekanizmat e mbikëqyrjes institucionale.
Apatia qytetare gjithashtu e ka thelluar dobësinë institucionale. Shoqëria duket gjithnjë e më e fragmentuar, e karakterizuar nga një angazhim i ulët qytetar dhe apati politike në rritje. Intelektualët dhe studiuesit kryesorë, institucionet kërkimore dhe Akademia e Shkencave mbeten kryesisht në periferi të debatit kombëtar. Pjesëmarrja e tyre është thelbësore për gjallërimin e debatit kritik dhe për hartimin e politikave publike të mbështetura në fakte e analiza shkencore.
Në të njëjtën kohë, Rama ka përfituar nga rënia e vëmendjes ndërkombëtare. Meqë përqendrimi është zhvendosur te dobësimi i demokracisë dhe krizat në vende të tjera, mangësitë e qeverisjes në Shqipëri kanë tërhequr më pak trysni të drejtpërdrejta nga partnerët kryesorë dhe institucionet mbikëqyrëse. Kjo mungesë trysnie e ka lejuar kryeministrin të forcojë pushtetin me më pak vërejtje nga jashtë, ndërkohë që korrupsioni, krimi i organizuar, kontrolli mbi median dhe apatia qytetare po thellohen.
Elitat e rrënjosura, demokracia e penguar
Sistemi politik është ngurtësuar, duke gërryer kapacitetin institucional, penguar rinovimin dhe kufizuar mundësitë e pjesëmarrjes demokratike. Politika mbizotërohet nga Partia Socialiste dhe një Parti Demokratike e dobësuar. Këto dy parti kanë penguar në mënyrë sistematike fuqizimin e forcave të tjera politike dhe shfaqjen e alternativave të reja. Rrjetet e klientelizmit dhe rrënjosja e elitave ushqejnë një sistem të ngurtë, ndërsa suksesi i brezit të ri shqiptar jashtë vendit nxjerr në pah potencialin e shpërdoruar brenda vendit. Emigrimi ka varfëruar kapitalin njerëzor, duke thelluar inercinë dhe duke zgjeruar hendekun mes gjallërisë shoqërore dhe ngurtësisë politike.
Përballë prirjeve autoritare dhe gërryerjes së mbikëqyrjes institucionale, e ardhmja demokratike e Shqipërisë kërkon një kundërvënie dhe mobilizim të gjerë në të gjitha sferat politike, institucionale dhe shoqërore. Kjo nënkupton një ndryshim rrënjësor: parti politike që ofrojnë alternativa të besueshme, një shoqëri civile të rigjallëruar, zëra intelektualë të angazhuar dhe një qytetari pjesëmarrëse – mbi të gjitha, një brez i ri i gatshëm të veprojë si promotor i ndryshimit.
Të dy partitë kryesore po përballen sot me kriza të përtëritjes, ndonëse në forma të ndryshme: Partia Demokratike si rrjedhojë e përçarjes dhe lodhjes, ndërsa Partia Socialiste si rrjedhojë e përqendrimit të tepruar të pushtetit dhe pajtimit të verbër me kryeministrin.
Kjo krizë e ngecjes është më e dukshme në Partinë Demokratike, e cila përballet me një sfidë vendimtare. Gabimet e viteve të fundit – mospjesëmarrja në procesin për ndryshimet territoriale, tërheqja nga parlamenti dhe bojkotimi i zgjedhjeve vendore – e kanë shtyrë partinë drejt skajit politik. Shpallja e Sali Berishës si person i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara, pasuar nga problemet ligjore dhe vendosja në arrest shtëpiak, thelluan ndasitë e brendshme dhe dobësuan besueshmërinë e partisë. Megjithëse ajo garoi në një mjedis zgjedhor tërësisht të anuar kundër saj, rezultatet nxorën në pah një të vërtetë më të thellë: mesazhi i saj nuk arriti të gjejë jehonë. Retorika, stili i udhëheqjes dhe vizioni politik i Partise Demokratike duken gjithnjë e më të shkëputur nga aspiratat e elektoratit.
Sot, Partia Demokratike mbijeton kryesisht falë qëndrueshmërisë personale dhe trashëgimisë së Berishës. Karizma dhe pesha e tij historike vazhdojnë të sigurojnë besnikëri, por nuk mund të zëvendësojnë një program të qartë apo një platformë të orientuar drejt së ardhmes. Pa një riformësim të guximshëm – demokraci të brendshme, zëra të rinj dhe një vizion bindës –partia rrezikon të shihet si mbetje e së shkuarës, jo si forcë e rëndësishme për demokracinë e sotme. Berisha mbetet një nga figurat më përcaktuese të historisë postkomuniste të Shqipërisë: presidenti i parë demokratik i vendit, kryeministër dy herë dhe një udhëheqës opozitar i palëkundur. Tani, ai ka mundësinë ta përmbyllë karrierën publike duke marrë rolin e një burri shteti të respektuar dhe duke hapur rrugën për udhëheqje të re, në vend që të kapet pas pushtetit. Duke udhëhequr një kalim të hapur dhe konkurrues, ai mund të kontribuojë që e ardhmja e partisë të mos kushtëzohet nga besnikëria ndaj një figure të vetme, por të formësohet nga debati i hapur, meritat e anëtarësisë dhe vizioni i qartë politik për të ardhmen.
Në fund të fundit, asnjë udhëheqës, sado me peshë, nuk mund të mbajë pafundësisht barrën e sigurimit të mbarëvajtjes së një partie – besueshmërinë, rëndësinë dhe rolin e saj në peizazhin politik. Shtyrja e ditës së pashmangshme të përballjes do të zgjasë vetëm agoninë e Partisë Demokratike, duke thelluar paralizën e brendshme, duke gërryer besimin publik dhe duke e bërë kalimin në udhëheqjen e ardhshme më të ndërlikuar dhe më të kushtueshëm.
Largimi i Berishës mund të shkaktojë beteja fraksionesh dhe paqëndrueshmëri afatshkurtër, por më shumë gjasa ka që të gjallërojë opozitën, duke çliruar energjinë dhe talentin e gjatë të shtypur. Partia Demokratike ka tashmë anëtarë të rinj premtues, potenciali i të cilëve është errësuar nga përçarjet e brendshme. Me hapësirë për t’u zhvilluar, ata mund të ndihmojnë në riformësimin e së ardhmes së partisë. Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike duhet të zgjerojë bazën e saj duke tërhequr anëtarë dhe zëra të rinj, duke siguruar që rinovimi të mos kufizohet vetëm në ndërrimin e brezave, por të mbështetet në pjesëmarrje gjithëpërfshirëse. Me zgjedhjet vendore në vitin 2027 dhe ato parlamentare në vitin 2029, partia ka një mundësi vendimtare për t’u riorganizuar dhe rindërtuar.
Rinovimi demokratik duhet të përfshijë edhe Partinë Socialiste në pushtet. Ironikisht, kjo parti ka qenë më demokratike në brendësi gjatë viteve ’90 nën udhëheqjen e Fatos Nanos sesa është sot. Nën udhëheqjen e Ramës, besnikëria ka zëvendësuar llogaridhënien, ndërsa pluralizmi i brendshëm i ka lënë vendin pajtimit të verbër. Partia Socialiste duhet të përballet me rreziqet e sundimit të një njeriu të vetëm dhe të rimarrë karakterin e saj institucional, duke promovuar një debat të vërtetë politik dhe duke toleruar mendimin ndryshe.
Ky ngushtim i pluralizmit të brendshëm pasqyrohet edhe në peizazhin më të gjerë politik, ku tridhjetë e pesë vjet pas rënies së komunizmit, nuk kanë dalë alternativa të besueshme që të sfidojnë mbizotërimin e dy partive kryesore. Pas arrestimit të ish‑presidentit Ilir Meta për akuza korrupsioni, partia e tij pothuajse u shpërbë, duke lënë jetën politike shqiptare të mbajtur peng nga socialistët dhe demokratët.
Mungesa e alternativave pasqyron jo vetëm ngecjen e sistemit politik dhe ngushtimin e zgjedhjes demokratike, por nënvizon edhe domosdoshmërinë e hapjes së rrugëve për aktorë të rinj. Brezi i ri i Shqipërisë e ka dëshmuar aftësinë e tij për inovacion jashtë vendit, por roli i tij në atdhe mbetet i papërfillshëm. Për të marrë drejtimin, ky brez duhet të kanalizojë aftësitë e veta në angazhim qytetar, organizim nga baza dhe ndërtimin e platformave politike që pasqyrojnë realitetin e tyre. Universitetet, rrjetet profesionale dhe lidhjet me diasporën mund të shërbejnë si terren për të nxitur formimin e udhëheqjes, duke ndihmuar të rinjtë shqiptarë të shndërrojnë përvojën e fituar jashtë vendit në reforma brenda atdheut. Shfrytëzimi i këtij potenciali përmes lëvizjeve qytetare dhe ndryshimeve institucionale mund të sjellë një rigjallërim politik. Pa këtë, Shqipëria rrezikon të mbetet një vend me njerëz të talentuar, por i drejtuar nga një politikë e ngurtë. Demokracia shqiptare do të përfitonte ndjeshëm nga forca të reja politike moderne, me platforma që u përgjigjen realiteteve të një brezi të lindur pas komunizmit, në vend që të mbetet e lidhur me trashëgimitë e së kaluarës.
Nevoja për rinovim shtrihet përtej partive politike, duke përfshirë themelet e vetë jetës demokratike. E ardhmja e vendit nuk mund të varet vetëm nga Partia Socialiste, Partia Demokratike apo ndonjë aktor i vetëm politik. Ajo që kërkohet është një rinovim që angazhon qytetarët, shoqërinë civile, median dhe partnerët ndërkombëtarë për të siguruar llogaridhënie dhe për të nxitur pjesëmarrjen qytetare. Së bashku, këto shtylla përbëjnë themelin e ringjalljes demokratike, por secila është e brishtë dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm.
Shqipëria po përballet me një krizë gjithnjë e më të thellë të pjesëmarrjes qytetare. Në zgjedhjet e majit 2025, pjesëmarrja ra në vetëm 41 për qind, me rënie të ndjeshme tek votuesit e rinj, gjë që pasqyron zhgënjim dhe ndjesinë se vota ka pak peshë. Ndërkohë, shoqëria civile e ka humbur rolin e saj si mbikëqyrëse dhe nxitëse e reformave, e dobësuar nga mungesa e financimit, trysnisë politike dhe apatisë publike. Fuqizimi i brezit më të ri kërkon reforma institucionale që e bëjnë pjesëmarrjen kuptimplotë, nisma arsimore që nxisin kulturën qytetare dhe platforma që u japin zë të rinjve. Po aq e domosdoshme është që shoqëria civile të rimarrë vendin e saj në debatin publik, të mbrojë autonominë e institucioneve dhe të nxisë qytetarët të kërkojnë llogaridhënie dhe drejtësi. Shtimi i pjesëmarrjes qytetare mund të zgjojë ndërgjegjen demokratike të kombit dhe të shërbejë si kundërpeshë ndaj pushetit ekzekutiv, por brishtësia e saj kërkon angazhim të vazhdueshëm.
Një media e lirë dhe e pavarur është po aq e domosdoshme për rimëkëmbjen e demokracisë. Reformat duhet të garantojnë transparencën e medias, të mbrojnë gazetarët dhe të investojnë në raportimin me interes publik. Vetëm një media e fuqizuar mund ta mbajë pushtetin përgjegjës. Por do të jetë e vështirë që media të sigurojë pavarësinë e vërtetë, pasi ndikimi i rrënjosur politik dhe pronësia e përqendruar e bëjnë këtë objektiv të ndërlikuar, ndërkohë që nevoja për mbikëqyrje bëhet gjithnjë e më e ngutshme.
Së fundi, roli i bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht i Bashkimit Evropian, mbetet vendimtar. Kushtëzimi është një nga pak mjetet e mbetura për të shtyrë reformat, por duhet të zbatohet me qartësi dhe vendosmëri. Mbështetja duhet të kushtëzohet jo nga përputhja sipërfaqësore që shihet sot, por nga përparimi i prekshëm në pavarësinë e gjyqësorit, integritetin zgjedhor dhe lirinë e medias. Rruga e Shqipërisë drejt Europës duhet të shtrohet me përmbajtje demokratike, jo me gjeste simbolike.
Përfundimi
Demokracia shqiptare ndodhet në një fazë ku ndërthuren rreziku dhe mundësia. Përqendrimi i pushtetit, dobësimi i institucioneve, margjinalizimi i opozitës dhe apatia qytetare kanë krijuar kushte për konsolidim autoritar. Megjithatë, ende ekziston mundësia për ripërtëritje demokratike. Shqipëria përballet me një zgjedhje të prerë: rrëshqitje autoritare e mbështetur në rrjete klienteliste dhe tërheqje qytetare, ose riperteritje demokratike përmes pluralizmit të vërtetë, pavarësisë institucionale dhe pjesëmarrjes kuptimplotë të qytetarëve ne jetën politike.
Me fitoren e tij dërrmuese në zgjedhje, Rama mban një ndikim të pashembullt për të përcaktuar drejtimin e Shqipërisë. Megjithëse pozita e tij politike e pakontestuar mund ta bëjë të mendojë se nuk ka arsye të ndryshojë kursin, sfidat e mëdha të vendit dhe pasiguria nëse Shqipëria do të arrijë të përmbushë kushtet dhe të realizojë aspiratat e saj për anëtarësim në BE e bëjnë të domosdoshëm një korrigjim në stilin e udhëheqjes, duke braktisur prirjet autoritare dhe praktikat kleptokratike që minojnë themelet demokratike të vendit. Mënyra se si ai zgjedh ta ushtrojë pushtetin do të përcaktojë, në masë të madhe, jo vetëm rrugëtimin e demokracisë shqiptare, por edhe trashëgiminë e tij politike. Para se të merrte detyrën në vitin 2013, Rama ndërtoi imazhin e një vizionari të përkushtuar ndaj së ardhmes, duke premtuar vendosjen e shtetit të së drejtës, rimëkëmbjen e institucioneve, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mbrojtjen e lirisë së shtypit. Do të ishte paradoksale nëse ai, në fund, do të mbahej mend si demokrati shpresëdhënës që u shndërrua në mishërimin e pushtetit të përqendruar, duke zgjedhur konsolidimin autoritar mbi thellimin e demokracisë.
E njëjta epërsi politike që i jep Ramës hapësirë të gjerë veprimi, njëkohësisht nxjerr në pah brishtësinë e sistemit që ai drejton. Përqendrimi i pushtetit ka prodhuar një model qeverisjeje që duket i fuqishëm, por ai mbështetet mbi themele të lëkundshme dhe është dukshëm më pak i qëndrueshëm se sa paraqitet. Kundërthënia e mënyrës së qeverisjes së kryeministrit qëndron në faktin se, ndonëse e ka konsoliduar pushtetin me lehtësi, ai e ka shumë më të vështirë të sigurojë funksionimin e qëndrueshëm dhe efektiv të sistemit. Pa mekanizma të besueshëm kontrolli dhe pa institucione të pavarura, që kanë aftësinë të përmbushin në mënyrë efektive misionin e tyre dhe të mbikëqyrin veprimet e qeverisë, rendi politik rrezikon te cenohet nga tronditjet që mund të shkaktohen nga rënia e mbështetjes popullore, shtimi i pakënaqësisë shoqërore, apo zhvendosja e mbështetjes nga grupe dhe rrjete të ngulitura, nëse ato ndihen se interesat e tyre kërcënohen nga Rama.
Ky realitet nënvizon domosdoshmërinë që aktorët e tjerë vendimtarë të ngrihen në lartësinë e sfidës dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të ndikuar në formësimin e rrugëtimit të vendit. E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të vendoset vetëm nga Rama. Ajo varet nga institucione që janë në gjendje të luajnë rolin e tyre themelor dhe t’i shërbejnë publikut, nga parti politike që rinovohen, nga një shoqëri civile që flet me forcë, nga qytetarë që angazhohen me vendosmëri, si dhe nga qëndrimi parimor i aleatëve strategjikë. Nëse këta aktorë ndërveprojnë së bashku, Shqipëria mund të kapërcejë rrëshqitjen autoritare dhe qeverisjen përvetësuese, duke hedhur themelet për riperteritjen demokratike. Nëse arrin të mobilizojë burimet e saj demokratike, Shqipëria mund ta shndërrojë brishtësinë në forcë, pengesat në mundësi dhe të përmbushë aspiratat e saj demokratike.
Ky është një rrugëtim i ngutshëm, sfidues, por i arritshëm – një proces që kërkon vendosmëri dhe bashkëveprim për ripërtëritjen demokratike të vendit. Shqiptarët meritojnë një rend demokratik të denjë, që jo vetëm përmbush aspiratat e tyre politike dhe shoqërore, por edhe e siguron të ardhmen e Shqipërisë të rrënjosur fuqishëm në Bashkimin Evropian.
(Kumtesa e autorit, e mbajtur në Konventën e Shoqatës për Studime Sllave, të Evropës Lindore, dhe të Euroazisë (ASEEES), Uashington, 22 nëntor 2025)