Duket që iniciativa e Qeverisë së Kosovës për zbatimin më strikt të Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huajt (që kufizon dukshëm qarkullimin e automjeteve me targa serbe në maksimum 3 muaj dhe kërkon që gjithë vizitorët të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve) në realitet nuk është vetëm një çështje administrative (lexo: teknike) apo formale juridike, por është shumë më tepër një çështje, kisha me thënë, normative që dosido “prodhon” efektivisht edhe një sërë reperkusionesh sociologjike. Këto reperkusione apo pasoja, që pa asnjë dyshim do të duhej të manifestoheshin taksativisht në sferën e proceseve integruese, kanë të bëjnë me problemet e dallimeve sociale, e sidomos me çështjet që lidhen me zhvillimet në procesin e shtetndërtimit të Republikës, ku targat e automjeteve, pastaj dokumentet identifikuese, si edhe kontrolli i territorit dhe mobilitetit juridik, zënë vend kyç.
Këto procese, qeveria e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, nëse nuk shkojmë sërish në zgjedhje të panevojshme nga këndvështrimi i sociologjisë së shtetit (Weber), do të duhej sidomos ligjet që kanë të bëjnë me narrativën e territorialitetit dhe regjistrimin e akterëve t’i fusë si ndihmesë të palëkundur në procesin e konsolidimit të sovranitetit. Sepse, për gjykimin tim, vetëm forcimi dhe konsolidimi i monopolit të shtetit mbi rregullimin e mobilitetit dhe identitetit juridik, bashkë me reduktimin e përvojave të këqija informale (p.sh. përdorimi i targave të Serbisë në territorin e Kosovës), e sidomos me krijimin e një “uniforme” të re institucionale në të gjithë territorin, do t’i jepnin Republikës një pamje tërësisht normative dhe një “road map” të duhur rrugëtimi për një “Republikë të tretë”, apo një shtet tamam normal, sikurse shtetet e tjera në BE. Në Evropë s’duhet harruar kurrë që ka modele të njohura (si French Third Republic) që simbolizojnë një riorganizim substancial institucional, sidomos në situata ngërçi e krizash të mëdha shtetërore, sikurse e kemi ne sot në Kosovë.
Por, në këtë rrugëtim të gjatë, e besa edhe me përplot pengesa serioze e ndërskamca evidente, pjesa normative (jo ajo teknike) do të marrë kohën e nevojshme. Shto këtu edhe bisedimet e stërzgjatura me Serbinë, pastaj edhe rreziqet nga ndryshimet aktuale gjeopolitike globale, ato kontinentale e ato rajonale, që mund ta frenojnë dukshëm këtë proces konsolidimi dhe realizimi të këtij projekti të nevojshëm për Republikën e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë jetën reale, zbatimi i Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huajt, tani për tani duket se ka impakt vetëm mbi një grusht serbësh (në veri) që gjatë gjithë kohës së pasluftës kanë përdorur automjete me targa të Serbisë, pastaj dokumente e monedha jashtë sistemit të Kosovës. Dhe këtë imponim duhet parë edhe si një instrument presioni politik dhe përforcim të diskursit të viktimizimit në baza etnike, çka u hetua edhe me revoltën që shprehën publikisht studentët e Mitrovicës, bashkë me alarmin që Serbia e ngriti përmes vizitës së shpejtuar të ndërmjetësuesit të dialogut, Peter Sorensen, në Prishtinë ditët që shkuan.
Për gjykimin tim sociologjik, ky ligj do të duhej nesër të prodhojë, midis tjerash, edhe tri efekte apo pasoja domethënëse për Republikën e Kosovës. Fjalën e kemi për ndryshimet që do t’u paraprijnë ndryshimeve thelbësore e historike, por edhe një transformimi demokratik e historik të shtetit, ku qeveria, sa po kuptoj unë, veç ia ka nisur ta testojë narrativën e re të madhe shtetformuese.
Por, cilat janë ato efekte apo pasoja?
Efekti i parë, gjithsesi ndërlidhet me ridizajnimin apo, siç mund të quhet edhe si tendencë, por edhe obligim e detyrim kushtetues për ta konsoliduar gjithnjë e më shumë sferën e sovranitetit institucional të shtetit.
Efekti i dytë do të balancojë shqetësimet, madje edhe tensionet e mundshme etnopolitike në komunat e ndjeshme ku Serbia ende, mjerisht, e ushtron ndikimin e vet absolut përmes “Lista Srpska”, që në fakt është një “kalë Troje” në skenën tonë politike.
Dhe efekti i tretë, që do të formalizohej, ka të bëjë me mobilitetin e shtetit për të flakur, apo të paktën për të reduktuar, praktikat informale që gravitonin pa pengesa serioze gjatë gjithë pasluftës nga ana e grupeve kriminale, sikurse ato të Milan Radoiçiqit.
Andaj duhet kuptuar se njohja e deritanishme e dokumenteve serbe nga ana e institucioneve kosovare, de facto dhe de jure, shënonte përveç tjerash edhe një relativizim të dukshëm të monopolit të shtetit kosovar mbi identifikimin juridik të qytetarëve. Ky privim nga e drejta e monopolit për identifikim të shtetit mbi qytetarët serbë të pjesës veriore të Kosovës e ka kontestuar në vazhdimësi, përveç sovranitetin, edhe instalimin dhe funksionimin e vlerave dhe normave demokratike në të gjithë territorin e Republikës. Sepse shteti modern, përveç tjerash, karakterizohet pikërisht nga monopoli i legjitimitetit institucional që ai ushtron mbi qytetarët e vet, përfshirë këtu pa asnjë dyshim edhe kontrollin mbi dokumentet identifikuese, lejen e qarkullimit etj.
Pra, shikuar me “dioptrinë” sociologjike, njohja e dokumenteve të një shteti tjetër brenda territorit të Kosovës, përveçqë është një cenim simbolik i autoritetit shtetëror, është edhe një dualitet i dukshëm institucional që prodhon konfuzion normativ në mesin e qytetarëve, por edhe paralelizëm politik.
Mendoj se Qeveria ka bërë mirë që e shtyu afatin e ekzekutimit të vendimit të këtij ligji. Ajo dëshmoi një pragmatizëm institucional, e jo domosdoshmërisht ndonjë dorëzim, ashtu siç e percepton një pjesë e opozitës. Ngase pragmatizmi politik, në rrethanat aktuale, ani pse mund të perceptohet edhe si një përpjekje apo manovrim qeveritar për ta “mirëmbajtur” kapitalin politik të arritur nga zgjedhjet e dhjetorit, është një sjellje konstruktive që siç u pa u përshëndet si nga Brukseli ashtu edhe nga Uashingtoni. Dhe si i tillë vendimi mund të interpretohet si sinjal pozitiv kooperativ ndaj BE-së dhe partnerëve perëndimorë; po edhe si një hap që “delegon” mesazhin se Kosova nuk mund të jetë vetëm pjesë e menysë, por veçse një aktor racional dhe i përgjegjshëm në obligimet e përbashkëta, që nesër, mund të shërbejnë edhe për "Republikën e tretë".
Në fakt, ky ligj nuk është vetëm një çështje formale targash apo dokumentesh identifikuese, por është edhe një test historik për vetë shtetin, qeverinë, opozitën dhe mbarë shoqërinë kosovare. Dhe pikërisht nga mënyra se si do të menaxhohet ky test do të shihet nëse Kosova po hyn vërtet në fazën e “Republikës së tretë”, apo nëse do të vazhdojë të jetojë edhe më tej me hijen e dualizmit të sovranitetit që e "instaloi" skema dhe fryma ahtisariane. E sovraniteti i një shteti nuk matet vetëm me deklarata publike politike që mund të jenë edhe me backgraund populist, por, ekskluzivisht me aftësinë e tij për ta zbatuar ligjin cep më cep të vendit. Për mua dilema "hamletiane" mbetet ajo se; “A mund "Republika e tretë" të shndërrohet nga një projekt shtetëror i Kosovës në një hapi historik drejt një vizioni gjithëkombëtar shqiptar, si një "Lidhje e Re e Prizrenit" e shekullit XXI?? Mos të harrojmë, kosovarët kanë ditur ta bëjnë atë edhe në shek. XX...