NËPËR FILM

Armend Smajli me shumë angazhime në filma të mëdhenj

I ftuari i parë i sezonit të ri të emisionit “Nëpër Film” ishte aktori i mirënjohur kosovar, Armend Smajli.

Këto dy vjetët e fundit, Smajli ka qenë shumë i angazhuar me projekte të mëdha filmike. Me këtë rast ai zbuloi hollësi rreth këtyre filmave, të cilët pritet që shumë shpejtë ta fillojnë rrugëtimin nëpër festivale botërore.

“Kur e fitova rolin në ‘Illyricvm’, arsyeja pse isha i lumtur është ngase epoka kur xhirohet filmi është goxha sfiduese, sepse për herë të parë portretizohen ilirët në një film. Kjo ishte një përvojë goxha interesante për mua si aktor. Po ashtu mënyra si kemi xhiruar në disa male të Bosnjës, dukja e aktorëve në film dhe mënyra e jetesës sonë gjatë atyre ditëve e ka pasur një kuptim shumë të veçantë për ne. Prandaj, nganjëherë punë jonë si aktorë është shumë e bukur, sepse ke mundësi ta përjetosh një kohë të caktuar përmes filmit”.

Ndër të tjera, aktori sivjet është angazhuar edhe në organizimin e “PriFestit”, që në edicionin e 14-të i dedikohet drejtoreshës së ndjerë të festivalit, Vjosa Berisha.

“Sivjet është edicioni i parë pa Vjosën. Nuk është lehtë ta shënojmë këtë edicion, duke e marrë parasysh edhe natyrën e saj. Vjosa asnjëherë nuk e ka dashur viktimizimin dhe melankolinë e tepërt. E pikërisht në atë drejtim jemi fokusuar më shumë, që pavarësisht dhimbjes dhe mungesës së saj, sepse tani të gjithë ata që po merren me festivalin po e shohin sa e rëndësishme ka qenë prezenca e Vjosës në këtë organizim, sepse nuk është lehtë që të realizohet një festival i këtillë. Por, para së gjithash e kemi kuptuar dhe kemi vendosur që jeta duhet të vazhdojë, njësojë sikurse festivali, në mënyrë sa më të mirë dhe të dinjitetshme duke i bërë nderë asaj, komunitetit por edhe gjithë vendit tonë”.

Filmat e ardhshëm të Smajlit, që pritet shumë shpejtë të lansohen për publikun e gjerë janë, “Illyricvm”, “Era”, “The Land Within Me” dhe “A Question of Balance”.