NËPËR FILM

Lajmet e fundit nga skena e filmit vendor

Qendra Kinematografike e Kosovës po u bën ftesë të gjithë të interesuarve që t’i dërgojnë propozimet për konsiderim për Çmimin “OSCAR”, për kategorinë “Film në gjuhë të huaj” dhe i cili mund ta përfaqësojë Kosovën këtë vit.

Filma të gjatë artistikë, dokumentarë dhe animacione më të gjata se 40 minuta do të kenë mundësinë të kandidojnë si propozime për shqyrtim.

Për shkak të pandemisë, Akademia e OSCARS ka përcaktuar disa rregulla të reja. Ndër to kryesorja që do të vlejë vetëm për edicionin e 93-të është për: filmat e përzgjedhur që e kanë pasur shfaqjen teatrale të planifikuar më parë, por që fillimisht janë bërë të qasshme përmes platformave me reputacion të shpërndarjes, ose të ndonjë platforme VOD, mund të kualifikohen, nën kushtet e mëposhtme: Që t’i sigurojnë Akademisë dokumentin origjinal dhe një përkthim në anglisht të datave të mbylljes së kinemasë të mandatuar nga Qeveria, dokumentacionin që dëshmon shfaqjen në kinema të planifikuar më parë, dhe shpërndarjen në një platformë me reputacion, ose marrëveshje me ndonjë platformë VOD.

Gjithnjë sipas njoftimit, të interesuarit mund t’i dërgojnë propozimet e tyre përmes email adresës së QKK-së apo postës, teksa afati i fundit është data 30 e këtij muaji.

Regjisori dhe skenaristi, Zgjim Terziqi, ka bërë të ditur se në një takim online të mbajtur në kuadër të “Forumit për Filmat Debutues në Budapest”, skenari i tij i fundit “2000: A post War Odyssey”, e fitoi çmimin “Visegrad Co-production Aëard”, cili përmban në vete përkthimin dhe titrimin e filmit në gjuhët e huaja, polonisht, hungarisht, çekisht dhe sllovakisht. Juria e përbërë nga katër profesionistë të kësaj fushe, e ka vlerësuar lart potencialin ndërkombëtar të këtij projekti, që e sjell rrugëtimin e çuditshëm dhe emocionues të djaloshit të ri të quajtur Lis, i cili provon ta gjejë lumturinë duke u bërë pjesë e një trupe të cirkut që po e viziton vendlindjen e tij të shkatërruar nga lufta, Kosovën.

“2000: A post War Odyssey”, e shënon debutimin e Terziqit në film të metrazhit të gjatë. Megjithëse regjisori është në pritje të sigurimit të fondeve për ta realizuar këtë projekt, ai ka deklaruar se planet rreth tij janë të mëdha. Terziqi më së miri njihet për filmat mjaft të suksesshëm të metrazhit të shkurtër, si: “Salloni”, “Një muaj” dhe dokumentari “The 50th and 1/2 State”.

Lajme të mira gjatë ditëve të fundit pati edhe për regjisorin, Besim Ugzmajli. Përmes rrjeteve sociale, regjisori dhe skenaristi nga Ferizaj bëri të ditur se filmi i tij i metrazhit të shkurtër “Rruga”, është përzgjedhur për t’u prezantuar në garën zyrtare të festivalit “ABYCINE” në Spanjë. Edicioni i 19-të i kësaj ngjarjeje mbahet nga 23 deri më 30 tetor të këtij viti. Njëherësh ky është suksesi i fundit i këtij projekti filmik, pas triumfit në edicionin e fundit të festivalit “New York True Venture Film Festival”, ku e fitoi çmimin “Best Human Right”.

“Rruga” mbetet filmi i fundit i regjisorit, Besim Ugzmajli, i cili bën thirrje për shoqërinë që të reagojë përballë dhunës e shkeljes së të drejtave të njeriut. Në rolet kryesore të projektit vijnë aktorët, Gresa Pallaska dhe Mal Noah Safqiu.

Me gjithë eksperiencën e krijuar nga prezantimi i projekteve të tij: “Erë”, “The Eaters”, “Më fal” dhe “Rruga” në qindra festivale të filmit në botë, Ugzmajli për emisionin “Nëpër Film” pati deklaruar se më së shumti e vlerëson opinionin apo kritikën e publikut kosovar.

Të martën mbrëma në Gjakovë për herë të parë u promovua trendi botëror i kinemasë në makina.

Duke respektuar masat parandaluese ndaj COVID-19, publiku zuri vend në vetura përballë projektorit në të cilin u shfaq filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”.

Organizatorët e këtij trendi të ri të kinemasë thonë se gjatë tri ditëve të javës do të transmetojnë filma për publikun, që duhet të jetë i pajisur me masa mbrojtëse kundër koronavirusit.

Numri i veturave në organizimin që konsiderohet të jetë i pari në Ballkan është i kufizuar, ndërsa çmimi i biletave sipas organizatorëve është simbolik.

Ndërkaq, disa nga pjesëmarrësit e “Drive In” citohet të kenë thënë se kjo formë e transmetimit të filmave është e domosdoshme në kohën kur kinematë vazhdojnë të mbeten të mbyllura.