NËPËR FILM

“PriForum” sivjet u organizua online nga 17-19 korrik

“Prishtina International Film Festival” ndryshe i njohur si “PriFest”, është një prej ngjarjeve kulturore që planifikohet të mbahet në formë fizike, pavarësisht pandemisë së koronavirusit.

Duke qenë se kriza globale shëndetësore ka ndikuar në pezullimin dhe anulimin e shumë festivaleve anembanë botës, në Kosovë, organizatorët e ngjarjeve të këtilla po punojnë me shumë përkushtim dhe mund, që ta shmangin një gjë të tillë. Këtu hynë edhe “PriFesti”, që për shkak të situatës së shkaktuar nga koronavirusi, është detyruar ta shtyjë datën e mbajtjes së festivalit, por jo ta anulojë atë në tërësi.

Sipas organizatorëve, është me rëndësi ruajtja e veprimtarive kulturore në vazhdën e pandemisë.

Pjesë e përvitshme e festivalit më të madh të filmit në kryeqytet, është edhe programi “PriForum”. Drejtori i këtij programi, Besnik Krapi, në emisionin “Nëpër Film” foli për përgatitjet dhe qëllimin e tij të përgjithshëm.

Programi “PriForum” u zhvillua online nga data 17 deri më 19 korrik, dhe për garën “Best Pitch” janë përzgjedhur gjithsej 12 filma nga Kosova dhe vende të ndryshme të rajonit si: Turqia, Greqia, Çekia, Maqedonia e Veriut, Bosnia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Serbia.

Megjithëse ka pësuar ca ndryshime në formën e organizimit sivjet, “Prishtina International Film Festival” planifikohet të mbahet në formë fizike nga 24-30 gusht.

Krapi foli për atë se si do të duket festivali në këtë edicion të tij, si dhe çfarë ndikimi ka pasur pandemia në ngjarjet e këtilla kulturore.

Për fund, aktori dhe producenti i njohur kosovar, tregoi për rëndësinë e organizimit të festivaleve për shoqërinë tonë dhe më gjerë.