NËPËR FILM

Ismet Sijarina foli për suksesin e fundit të filmit “Nëntor i ftohtë”

Filmi i regjisorit kosovar Ismet Sijarina, “Nëntor i Ftohtë”, në fillim të javës arriti të shpërblehet me një çmim të radhës, dy vjet pas realizimit të tij dhe një rrugëtimi mjaft të suksesshëm nëpër festivale të ndryshme anembanë botës.

Filmi që flet për vitet ’90 u nderua me dy shpërblime të rëndësishme nga “South East European Film Festival”, i cili për herë të parë në dhjetë vjet të organizimit është mbajtur online. Në këtë edicion të pazakontë të festivalit, “Nëntor i ftohtë” fitoi shpërblim për aktoren më të mirë, i cili shkoi për Adriana Matoshin dhe çmimin “Salon du livre des Balkans”, që jepet si konfirmim për vlerat e larta artistike të filmit.

Nëpërmjet rrëfimit të sfidave të personazheve, në filmin “Nëntor i ftohtë” paraqiten aspekte të ndryshme të jetesës në Kosovën e viteve '90. Në rolin kryesor është personazhi i Fadilit, i portretizuar nga aktori Kushtrim Hoxha. Ai punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore dhe ndodhet përballë dy zgjedhjeve të gabuara. Jashtë dëshirës dhe vullnetit të tij, shtyhet të vuajë pasojat e zgjedhjes së vet. Kështu, Fadili e merr përsipër turpin, duke u detyruar të durojë presionin e të gjitha palëve nga të gjitha anët.

Premiera botërore e filmit “Nëntor i ftohtë” është dhënë në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, në shtator të vitit 2018. Nga aty, filmi e nisi një rrugëtim mjaft të suksesshëm në shtete të ndryshme të botës, për çka regjisori Sijarina për emisionin “Nëpër Film”, tha se nuk e kishte parashikuar.

E pas një rrugëtimi të tillë, “Nëntor i ftohtë” ndaloi me premierë edhe në Kosovë, çka sipas Sijarinës ka qenë një prej emocioneve më të mëdha që i ka përjetuar prejse filmi e kishte filluar prezantimin e tij.

Në fund, regjisori tregoi se ka qenë mjaft aktiv gjatë periudhës së karantinës, duke punuar në projektin e tij të radhës.

Edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila në film luan Hanën, gruaja e Fadilit, ka thënë se çmimi “Aktorja më e mirë” në festivalin “South East European Film Festival”, njëlloj si shpërblimet e tjera që i ka fituar ndër vite, ka shumë rëndësi për të. Por, ka veçuar se vlera e tij është shtuar pasi që e ka pranuar në një periudhë kur e gjithë bota po përballet me pandeminë e virusit COVID-19.

“Puna ime shumëvjeçare po shpërblehet tani dhe shpërblimet e tilla nuk i kam menduar gjatë realizimit të filmit. Tani isha duke shikuar disa skenarë dhe isha në dy mendje nëse duhet që t’i pranoja apo jo. Tani mendoj që duhet t’i pranoj pasi që, siç po shihet, këtë punë po di që ta bëj më së miri”, citohet të ketë thënë Matoshi.

“Nëntor i ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “AUDIOHAUS” dhe “Ikone”, dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë. Në rolet kryesore në këtë film, pos Kushtrim Hoxhës e Adriana Matoshit, i luajnë edhe Fatmir Spahiu, Emir Haxhihafizbegoviq, Gordana Boban dhe Lum Veseli.