Radhë të gjata të pritjeve janë shfaqur kohëve të fundit në komunën e Prishtinës.
Qytetarët janë ankuar se po kanë problem të kryejnë shërbimet e kërkuara për shkak të problemeve me sistem, por edhe me mungesë të stafit, duke u ankuar se po punohet vetëm me një sportel.
Megjithatë, komuna e Prishtinës thotë se po punohet me të gjitha sportelet, madje me orar të zgjatur.
“Në mesditë ka fluks më të madh të njerëzve, mirëpo sistemi i pritjes përmes tiketimit e ka zgjidhur këtë problem. Herë pas here po bie sistemi i gjendjes civile qe menaxhohet nga Ministria (me ç’rast nuk mund të shërbehen qytetarët me dokumentacion) dhe domosdo shtohen radhët e pritjes në secilin institucion. Këto ditë e njëjta ka ndodhur edhe te tatimi në pronë, ku sistemi Protax i Ministrisë së Financave ka rënë disa herë”, ka thënë për Koha.net, zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri.