Arbëri

PDK: Bashkëpunimin me LDK-në në Prishtinë e përfunduam edhe me ndërmarrjet

Descriptive Text

Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se bashkëqeverisja me Lidhjen Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka përfunduar në ditën kur është shfuqizuar çështja e këmbimit të pronave në Badoc.

Ai ka thënë se PDK-ja është larguar edhe nga qeverisja e ndërmarrjeve publike, duke thënë se angazhimin do ta ushtrojnë në Kuvendin Komunal.

“Bashkëqeverisja në Prishtinë me LDK-në ka përfunduar në ditën kur e kemi shfuqizuar këmbimin e pronave në Badoc. Jemi larguar nga ekzekutivi dhe të gjithë asamblistët e PDK-së që kemi qenë aksionarë në Ndërmarrjet Publike Lokale kemi dhënë dorëheqje, duke i hapur rrugë krijimit të shumicës së re në Kuvendin Komunal. Angazhimin do ta ushtrojmë me kompetencë të plotë në Kuvendin Komunal, duke i shërbyer me përfaqësimin tonë vetëm qytetarëve, lagjeve dhe Prishtinës”, ka shkruar Retkoceri në Facebook të enjten.

Në një konferencë për media, Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka thënë se nuk janë të sigurt nëse LDK-ja e PDK-ja e kanë shkëputur krejtësisht koalicionin në kryeqytet.

Sipas tij, ndërmarrjet publike vazhdojnë të qeverisen nga këto dy parti.

“Shumica e drejtorëve janë prej LDK-së. Te ndërmarrjet publike s’ka ndonjë risi. Ato vazhdojnë të qeverisen nga LDK-ja e PDK-ja me nga katër secila. Si pasojë e kësaj mjegulle, Kuvendi Komunal është i bllokuar, nuk mbledhje dhe shumicë parlamentare. Kësisoj, kanë ngecur edhe zgjidhjet e problemeve. Nuk jam i sigurt nëse janë ndarë 100 për qind LDK-ja e PDK-ja. Nuk bëjmë koalicion me parti që e kanë shkatërruar kryeqytetin, u themi jo LDK-së e PDK-së”, ka thënë ai.

Koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë është shkëputur pas votimit për anulimin e vendimit për këmbim të pronave në Badoc më 8 shkurt, për të cilin kishte raportuar KOHA.

Kësaj i parapriu shkarkimi i nënkryetares së Komunës, Donjeta Sahatçiu dhe drejtorit për Shërbime Publike, Ilirik Musliu, të dy nga radhët e PDK-së, nga kryetari Përparim Rama.