Arbëri

VV: S’jemi të sigurt se LDK-ja e PDK-ja në Prishtinë e kanë shkëputur 100 për qind koalicionin

Descriptive Text

Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka thënë se nuk janë të sigurt nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës e kanë shkëputur 100 për qind koalicionin në kryeqytet.

Koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë u shkëput pas votimit për anulimin e vendimit për këmbim të pronave në Badoc më 8 shkurt, për të cilin kishte raportuar KOHA. Kësaj i parapriu shkarkimi i nënkryetares së Komunës, Donjeta Sahatçiu dhe drejtorit për Shërbime Publike, Ilirik Musliu, të dy nga radhët e PDK-së, nga kryetari Përparim Rama.

Në një konferencë për media të enjten, Sveçla ka thënë se nuk do të bëhen pjesë e koalicionit me parti që e kanë shkatërruar Prishtinën.

“Shumica e drejtorëve janë prej LDK-së. Te ndërmarrjet publike s’ka ndonjë risi. Ato vazhdojnë të qeverisen nga LDK-ja e PDK-ja me nga katër secila. Si pasojë e kësaj mjegulle, Kuvendi Komunal është i bllokuar, nuk mbledhje dhe shumicë parlamentare. Kësisoj, kanë ngecur edhe zgjidhjet e problemeve. Nuk jam i sigurt nëse janë ndarë 100 për qind LDK-ja e PDK-ja. Nuk bëjmë koalicion me parti që e kanë shkatërruar kryeqytetin, u themi jo LDK-së e PDK-së”, ka thënë ai.

Nora Kelmendi, asambliste e VV-së, ka ftuar të gjithë asamblistët të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të së martës, në të cilën do të kërkohet shkarkim i kryesuesit të Kuvendit Komunal, pozitë që mbahet nga Pëllumb Bajqinovci i LDK-së.

Asamblisti tjetër i kësaj partia, Mirsad Vitija, ka akuzuar PDK-në se po përpiqet që me një këmbë të rri në pushtet e me një këmbë në opozitë.

“Ndërmarrjet publike vazhdojnë të udhëhiqen nga PDK-ja. Këta zyrtarë të PDK-së janë ende në këto pozita, vazhdojnë të punësojnë militantë nëpër këto ndërmarrje. Pse nuk po ua kërkojnë dorëheqjen e tyre”, ka thënë Vitija.