Arbëri

Qytetari në Prishtinë hodhi mbeturina skaj rrugës, gjobitet dhe detyrohet t’i mbledhë

Inspektorati në kryeqytet ka njoftuar se ka gjobitur me 300 euro dhe e ka detyruar t’i mbledhë mbeturinat, një qytetar që me një kombibus kishte hedhur mbeturina në skaj të një rruge në Prishtinë.

Në një postim në Facebook thuhet Inspektorati i kryeqytetit duke ndjekur ankesat e qytetarëve të shfaqura edhe në rrjete sociale, ka arritur të identifikojë personin që kishte hedhur mbeturin.

‘Inspektorët kompetentë kanë gjobitur të njëjtin në vlerë prej 300 eurosh dhe e kanë detyruar të njëjtin që të pastrojë hapësirën në të cilën kishte hedhur mbeturinat”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se qytetarët janë dëshmitarë të rasteve të tilla të ndotjes së ambientit.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të veprimeve të papërgjegjshme të disa qytetarëve të cilët zbrazin mbeturinat kudo në kryeqytet, duke e ndotur ambientin por edhe duke e krijuar një imazh të shëmtuar të kryeqytetit”, thuhet në njoftim.

Inspektorati ka paralajmëruar kontrolle në zona të ndryshme në kryeqytet.

“Në ditët në vijim inspektorati do të vazhdojë kontrollet në zona të ndryshme në kryeqytet, prandaj kërkojmë që të gjithë të veprojmë në përputhje me rregullat e përcaktuara dhe në këtë mënyrë të ndihmojmë organet e kryeqytetit në synimin tonë të përbashkët për një Prishtinë më të pastër”, thuhet në njoftim.