Musmurati kritikon Ministrinë e Arsimit për librat: Ka shkaktuar vonesa dhe humbje të orëve mësimore
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka kritikuar Ministrin e Arsimit për mossigurimin e librave për nxënësit deri në klasën e nëntë, duke thënë se mënyra për t’i subvencionuar prindërit ka qenë e gabuar dhe ka shkaktuar vonesa e humbje të orëve mësimore në shkolla gjatë fillimvitit.
Pak ditë para se të fillonte mësimi, Ministria e Arsimit kishte vendosur që prindërit t’i blinin vetë librat për fëmijët e tyre dhe më pas ata do të subvencionoheshin. Ky vendim kishte nxitur reagime të mëdha e kishte shkaktuar tollovi nëpër libraritë në Kosovë.
Musmurati ka thënë se kanë pasur mungesë të theksuar të librave nga klasa e parë deri në klasën e pestë, ndërsa ka paralajmëruar se së shpejti do të bëjnë një analizë se sa orë janë humbur gjatë kësaj periudhe, një punë që ajo thotë se është dashur ta bëjë Ministria e Arsimit.
“Kemi pasur raportime prej shkollave për mungesë të theksuar të librave nga klasa e parë deri të pestën, por edhe nga e gjashtë deri të nëntën. Kemi pasur ankesa prej prindërve që kanë marrë librat e vjetra, sidomos për fletoret e punës të cilat kanë qenë të plotësuara. Ka pasur vonesa të mëdha dhe humbje efektive të orëve. Do të bëjmë një analizë si Komunë për ta parë sa orë janë humbur e si të veprohet tutje. Është dashur ta bëjë Ministria, por s’e ka bërë”, ka thënë ajo në emisionin “038” të KTV-së.
Drejtoresha e Arsimit në kryeqytet ka thënë se veprimi i Ministrisë ishte i ngutshëm, “që jo vetëm e ka dëmtuar buxhetin, por ka rreziku edhe projekte të tjera”.
“Ministria e ka pas projektin për digjitalizimin e shkollave sivjet. Paratë që kanë qenë të dedikuara për këtë projekt janë marrë për subvencionim të prindërve. Kemi humbje të shumëfishta me këtë aventurë të Ministrisë”, ka shtuar ajo.
Musmurati ka thënë se Ministria duhet të planifikojë më mirë vitin e ardhshëm që t’i blejë vetë librat shkollorë.