Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka publikuar Udhëzuesin për legalizim të ndërtimeve pa leje.
“Me kënaqësi ju njoftojmë se kryeqyteti ka përgatitur udhëzuesin mbi procesin e legalizimit të ndërtimeve, i cili do të ju ndihmojë me informata konkrete rreth procesit dhe hapave që duhet të ndërmerrni për legalizimin e ndërtimeve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Tutje thuhet se nëse qytetarët nuk aplikojnë për legalizim të ndërtimeve përfshihen në Listën e rrënimit.
“Komuna mund të bëjë rrënimin e ndërtimit pa asnjë kompensim”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Në pikën e parë të këtij Udhëzuesi përcaktohen ndërtimet të cilat duhet t’i nënshtrohen procesit të legalizimit.
“Të gjitha ndërtimet pa leje të evidentuara në ortofoto para datës 05 Shtator 2018 përfshirë këtu: shtëpitë, garazhet në shërbim të shtëpisë, ndërtesat bujqësore, shtëpitë me afarizëm, depot, ndërtesat shumëbanesore dhe afariste, administrative, anekset dhe mbindërtimet e ndërtesave, hotelet, konviktet, ndërtesat industriale, ndërtesat kulturore artistike, ndërtesat arsimore, shëndetësore, sportive(rekrative) etj. Ndërtimet e papërfunduara. Tejkalimet e lejes ndërtimore”, thuhet në udhëzues.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.