Arbëri

Vritet me armë zjarri një qen në afërsi të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë

Është vrarë me armë zjarri një qen afër Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

Avokati Arianit Koci ka postuar një video në Facebook, ku shihet trupi i pajetë i qenit me plagë arme në të. Koci në video ka thënë se dyshohet se qeni është qëlluar me armë para dy dite.

“Në qendër të Prishtinës, dikush me plumb e ka vrarë këtë qenushe. Parmbrëmë. Abuzimi i tmerrshëm i kafshëve, e në veçanti qenve, është njëra prej arsyeve që qentë po i sulmojnë njerëzit. Përndryshe, ai që e gjuan kafshën me plumb, është i rrezikshëm edhe për njerëzit. Policia duhet urgjentisht me i fillu hetimet, nëse nuk i ka filluar deri më tani. Në anën tjetër, qenushja po rrin qe dy ditë në këtë vend, dhe asnjë shërbim komunal nuk e ka parë të arsyeshme me e largu trupin i cili tani mund të jetë burim i infeksioneve”, ka shkruar Koci në Facebook.

Ndaj vrasjes së qenit ka reaguar edhe Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.

“Më datë 21 maj 2023 në oborrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, për arsye të panjohura, një qen endacak është vrarë me armë zjarri nga një person i panjohur. Ky incident shërben si një rikujtim i fortë se dhuna ndaj kafshëve ka pasoja të gjera. Dhuna prish ekuilibrin delikat brenda tufës së tyre, duke krijuar një atmosferë frike dhe stresi që mund të çojë në incidente të papritura. Rasti është lajmëruar në Polici nga dashamirësit e kafshëve dhe po ashtu organizata jonë ka kërkuar llogari nga Policia që të kuptohet se kush gjuan me armë zjarri në mes të Kryeqytetit pa asnjë përgjegjësi. Qentë potencialisht agresivë DUHET të lajmërohen në Komunë të Prishtinës që pastaj operatorët ekonomik të kontraktuar nga Komuna të shkojnë te vendi i ngjarjes që t’i largojnë nga rruga ndonjë qen endacak me sjellje agresive ndaj njerëzve, por assesi të lejohet qentë të vriten nga frustrimi apo paragjykimi ndaj ndonjë qeni të rrugës”, thuhet në reagimin e Fondacionit.

Të dielën u sulmua një fëmijë dyvjeçar nga qentë endacak në sheshin e Prishtinës, ndërsa të hënën në afërsi të Bibliotekës Kombëtare u kafshua nga qentë endacakë një shtetase e huaj.