Musliu: Na ka penguar greva e “Pastrimit” pa paralajmërim
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka thënë se i mbështesin të gjitha kërkesat e punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, por ka theksuar se ajo që i ka penguar është se janë futur në grevë pa paralajmërim.
Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” hynë në grevë për gati 48 orë këtë javë. Kërkesa e tyre kryesore ishte rritja e pagave. Pas gati dy dite, Komuna arriti marrëveshje me Sindikatën që të rriten pagat për 70 euro.
Musliu ka thënë se menaxhmenti i “Pastrimit” ka menduar se i ka gjërat nën kontroll dhe greva i ka zënë në befasi, pasi sipas tij, është rënë dakord që pagat e tyre të rriten nga muaji prill.
“Gjendja të cilën e kemi trashëguar ka qenë e tmerrshme, makineritë janë të vjetra. Sindikata ka bërë kërkesa edhe në të kaluarën, menaxhmenti ka krijuar një komision dhe ka menduar se i ka gjërat nën kontroll. Kanë rënë dakord që kërkesave të punëtorëve do t’i japim zgjidhje kohë pas kohe. Pagat do të rriteshin nga muaji prill, pra me pagën e prillit. Është menduar se është nën kontroll, dhe kur jemi zgjuar në mëngjes, janë futur në grevë. Na ka penguar forma e grevës pa asnjë paralajmërim, pasi ne i mbështesim kërkesat e tyre”, ka thënë ai në “038” të KTV-së.
Musliu ka thënë se kanë marrë një barrë financiare të madhe siç është inkasimi i faturave të mbeturinave vetëm që “Pastrimi” të ketë stabilitet financiar.
“E kemi marrë një barrë financiare siç është inkasimi i faturave. Qëllimi ka qenë që ‘Pastrimi’ të ketë stabilitet financiar dhe që të mos ndalë shërbimin që të varet nga inkasimi i qytetarëve. Ne për çdo vit ia japim 4 milionë euro ‘Pastrimit’, ndërsa inkasojmë nga qytetarët vetëm 60 për qind të asaj shume”, ka thënë ai.
Musliu ka paralajmëruar se e kanë hartuar një master-plan për menaxhimin e mbeturave. Greva e “Pastrimit”, siç thotë ai, ia ka hapur sytë Komunës që master-plani të mos mbetet vetëm në letër por edhe të fillohet zbatimi i tij. Ka premtuar se me master-plan do të ketë formë tjetër të menaxhimit të mbeturinave.