Sektori privat në transportin publik të Prishtinë janë ankuar për gjendjen e rëndë të cilat po e kalojnë në këto kohë krize, teksa kanë kërkuar përkrahjen e Komunës.
Izet Smajli, përfaqësues i sektorit privat në transportin publik të kryeqytetit, ka thënë se pushteti aktual i Prishtinës i ka premtuar mbështetje, por thotë se ata po ecin ngadalë. Kërkojnë reformë paralelisht me Trafikun Urban.
“Ne e dimë që transporti urban nuk është profitabil, pothuajse në të gjithë botën. Qe dhjetë vjet kemi kërkuar reformë sikur në Trafikun e Urban. Kemi kërkuar të shkojë paralelisht. Është zotuar pushteti i Shpend Ahmetit që do ta kryejë, por kemi mbetur. Tani, pushteti aktual na ka premtuar, por po më duket se po shkon ngadalë”, ka thënë Smajli, që ka kërkuar të paguhen me kilometra dhe të kenë kontratë dhjetëvjeçare.
Edhe Ismet Haliti, që është pjesë e Shoqatës së Transportuesve Privatë, ka thënë se kanë nevojë për kushtet të cilat iu takojnë. Ai paralajmëron se kompanitë private janë në gjendje kolapsi.
“Jemi në gjendje kolapsi thuajse të gjitha kompanitë private, që nga vendimi për ndërhyrje në linjat tona nga Trafiku Urban. Janë liruar nga pagesa disa kategori të ndryshme në Trafikun Urban dhe kjo na prekur. Është dashur të analizohet sepse sektori privat s’ka mundësi t’i lirojë këto kategori pasi të hyrat e vetme i kemi nga biletat”, ka thënë Haliti, i cili ka treguar se hera e fundit kur janë ndihmuar ka qenë fundi i vitit 2021-s. E quajti si ndihmë simbolike.
Smajli dhe Haliti kanë thënë se kanë marrë premtime nga Komuna që në fund të vitit 2023, transportuesit privatë do të jenë të barabartë me Trafikun Urban.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.