Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, në emisionin “038” në KTV, ka theksuar se inflacioni i lartë në Kosovë dhe në ekonomitë e tjera në rajon e Evropë, ka ndikuar edhe në punët që janë kryer në kryeqytet.
Si pasojë e rritjes së çmimeve, ai ka thënë se janë detyruar të shkëpusin rreth 30 kontrata me operatorët ekonomikë.
“Kemi shkëputur rreth 30 kontrata të kaluara, të cilat kanë dhënë efekte negative në terren, sepse përndryshe do të përfundonim me shumë projekte sesa që kemi përfunduar deri tash ... Janë kryesisht kontrata infrastrukturore që na kanë lënë mbrapa në kryerje të disa projekteve, janë kontrata të nënshkruara në 2020 e 2021. Është dashur t’i shkëpusim sepse sektori privat refuzonte të dilte në terren e të kryente punë, për shkak të çmimeve të larta, sepse kur janë nënshkruar kontratat çmimet kanë qenë të tjera”, ka theksuar Zogaj.
Sipas tij tani ato projekte janë ritenderuar e rinënshkruar dhe vitin e ardhshëm do të realizohen. Ai ka theksuar se nuk ka qenë në interesin e Komunës që kontrata të shkëputen, por që sipas tij, rrethanat i kanë detyruar ta bëjnë një gjë të tillë.