Arbëri

Mbyllja e rrugës “Xhorxh Bush”, “Trafiku urban” me vonesa

Për disa vjet më radhë këto shtëpiza u vendosën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të shënuar festivalin e fundvitit “Verë n’dimër” .

Por këtë vit, komuna ka menduar të ndryshoj lokacionin e tyre, duke ndryshuar kështu edhe emrin e festivalit.

E bashkë me të tashmë janë vendosur edhe dritat nëpër pemë, të cilat pritet të ndizen me 12 dhjetor kur edhe funksionalizohen shtëpizat.

Për të organizuar gjithë këtë festë, Komuna e Prishtinës ka mbyllur rrugën “Xhorxh Bush” duke thënë se do rikthehet për qarkullimin e veturave pas 8 janarit të vitit 2023.

“Qëllimi pse e kemi mbyllur rrugën ka të bëjë me aktivitetet e festave të fundvitit. Aktiviteti kryesor i fundvitit do të zhvillohet në rrugën ‘Xhorxh Bush’, kjo është arsyeja pse e kemi mbyllur, pasi na nevojiten dy javë kohë për intervenime që na duhet t’i bëjmë aty për t’u implementuar projekti i festave të fundvitit për tu përshtatur me atë projekt. Rruga ‘Xhorxh Bush’ mbetet sheshi kryesor për festat e fundvitit. Nuk ka të bëjë me testin që të mbyllet unaza qendrore. Rruga do të hapet sërish pas datës 8 janar”, tha drejtori për shërbime publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu.

Por pas këtij njoftimi kanë nisur ndryshime në këtë rrugë.

Ishulli mes rrugës po largohet për t’u zëvendësuar me kalldrëm, duke ngjallur dyshime se kjo rruga që parashihet të kthehet në shesh në të ardhmen, nuk do rikthehet më për qarkullimin e veturave.

Opozita e Prishtinës, Vetëvendosje, e kanë quajtur absurd vendimin e kryetarit, Përparim Rama për mbylljen e rrugës. Ata thonë se ka indikacione që rruga nuk do të rihapet në janar.

Ndërsa, nga Aleanca Kosova e Re, asamblisti Gëzim Mehmeti ka thënë se këto vendime janë marrë pa konsultimin me opozitën.

“Ky projekt është nga viti 2020, por jo si i tillë që të mbyllet e gjithë rruga, aty ka qenë e paraparë që të jetë pjesa e emergjencës, ku do të bëhet në një trase, çështja e zjarrfikëseve, emergjencës mjekësore, të ketë qasje, por mbyllja tërësisht afatgjate, nënkupton edhe kaos në Prishtinë. Në këtë rast ky është marr një vendim pa konsultim me opozitën, nuk është një vendim i tillë i cili ka kaluar në Kuvendin Komunal”, tha Mehmeti.

Se kjo rrugë nuk do rikthehet për qarkullim të veturave mendon edhe njohësi i komunikacionit, Bekim Ahmeti.

Ai e përkrahë idenë e sheshit duke propozuar që brenda saj të lejohet qarkullimi i transportit publik.
“Unë mendoj që nuk do rikthehet më në gjendje të mëparshme sepse ishulli vetëm se ka filluar të largohet dhe kjo do të mbetet shëtitore mirëpo kërkesën që e kemi bërë është që transporti publik të zhvillohet nga të dyja anët, të ketë barriera të mos mund të lëviz në anën e majtë, kurse transporti publik të jetë brenda për brenda qendrës, sepse flitet që do të vijnë autobus elektrik dhe kjo rrugë të jetë për transportin publik”, tha Ahmeti.

Por ky ndryshim po krijon edhe më shumë tollovi në komunikacion. Zgjidhja e vetme sipas Ahmetit do të ishte tramvaji.

“Kryesisht Prishtina i ka dy rrugë, Luan Haradinaj dhe Agim Ramadani dhe nëse nuk e marrim parasysh të zhvillohet transporti publik është e paimagjinueshme që të kemi mundësi të lëvizim me automjete të vogla. Këtë gjendje e ka pas Amerika në vitin 1950 kur është bërë revolucioni i madh i komunikacionit. Prishtina pa tramvaj do të jetë në një kaos urbanistik dhe për vite të tëra do të flasim për çfarëdo ndryshimi nëse nuk bëhet kjo”, tha Ahmeti.

Shoferët po shprehen të pakënaqur me këto ndryshime, duke u ankuar për kolonat e mëdha.

Por në anën tjetër ka qytetarë që po pëlqejnë idenë e zgjerimit të sheshit.

Krahas rrugës zgjerimit të sheshit nëpër rrugën “Xhorxh Bush”, vitin e ardhshëm pritet të fillojë edhe funksionimi i unazës njëkahore.