Arbëri

Gashi: Këtë viti numri i shërbimeve shëndetësore të dhëna në kryeqytet pritet të arrijë në 3 milionë

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Bujar Gashi, në emisionin “038” të KTV-së, ka theksuar se numri i shërbimeve shëndetësore që ofrohen në Prishtinë, këtë vit do ta arrijë në 3 milionë.

“Këto shifra na kanë përcjellë vitet e fundit, përjashtimisht dy vitet e pandemisë, e sidomos vitit 2020 që kishte shifra më të ulëta. Por ky vit në bazë të asaj që shihet, edhe në publikimin e të dhënave të fundit për 9 mujorin e këtij vitit, pritet të kalohet numri prej 3 milionë shërbimeve, e që realisht janë një milion vizita mjekësore, sepse një pacientë kur e kryen një vizitë mjekësore merr edhe të tjera shërbime dhe ashtu i kalkulojmë”, ka theksuar Gashi.

Sipas tij Prishtina ka shumë më pak mjekë, sesa është e përcaktuar për numër të banorëve.

“Numri i punëtorëve shëndetësor është i përcaktuar në bazë të numrit të banorëve, e që realisht kemi një disbalancë në mes të numrit të shërbimeve dhe numrit të banorëve. Nëse i kemi 3 milionë shërbime, ose një milion vizita, po e rrumbullakojmë numrin e banorëve të kryeqyteti në 200 mijë, i bie që secili qytetarë i kryeqytetit të merr 5 vizita mjekësore brenda vitit, e të merr 15 shërbime, kjo është absurditet i kohës. Kjo flet për një numër më të madh të qytetarëve që jetojnë në Prishtinë”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka theksuar se numri i punëtorëve shëndetësorë është i kufizuar dhe nuk ka ndryshuar që nga paslufta.

Gashi ka bërë të ditur se janë në fillim të pilot-projektit për “listën banor-mjek”, në bazë të së cilit secili banorë do të regjistrohet si pacient tek një mjek. Ky pilot-projekt do të nisë në lagjen “Dardania” dhe në lagjen “Kodra e Diellit”. “Për shembull në lagjen ‘Dardania’ ne kemi 10 mjekë dhe këta mjekë do të jenë përgjegjës për 20 mijë banorë të cilët do ta kenë mundësinë që të regjistrohen tek mjekët e tyre. Në momentin që mbushet ky numër, atëherë sigurisht edhe 10 mijë banorë do të mbesin pa mjekë, duke e marr parasysh se kemi më shumë banorë sesa janë në regjistrimin e fundit të popullsisë”, ka deklaruar Gashi.

Numrin e shërbimeve ka thënë se e kanë rritur edhe banorët e komunave përreth Prishtinës, që shpesh kanë ardhur për vizita mjekësore në kryeqytet.

Ai ka folur edhe për mungesën e pediatërve nëpër qendrat e mjekësisë familjare, duke thënë se kjo është përcaktuar më udhëzim administrativ. Sipas tij pediatër, nëse nuk ndryshon aspekti ligjor, do të ketë vetëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, deri në pensionimit e 5 pediatërve aktualë të kësaj Qendre.