Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se në fund të muajit do të bëhet testimi final për të kthyer unazën qendër të Prishtinës në njëkahëshe.
Zogaj në emisionin “Sot” të KTV-së, ka thënë se po shkojnë në drejtim të asaj që unaza kryesore e Prishtinës të jetë njëkahore.
“Kemi kryer dy-tri testime më herët. Kemi mbledhur shumë të dhëna, ekspertët vendorë e ndërkombëtarë i kanë analizuar ato, kanë analizuar fytet e ngushta ku janë problemet kryesore. Kemi ardhur deri te një konkluzion final. Gjatë tetorit e kemi testin gjatë ditës së punës. Të shohim çfarë ndodh. Testet e kaluara në fundjavë, shkuan mirë. Të testojmë çka ndodhë gjatë ditës së punës, kur Prishtina është më e ngarkuar. Do të vijmë më pas në vendim final. Po shkojmë drejt vendimit që me kthyer unazën e brendshme të Prishtinës në lëvizje njëkahore”, ka thënë Zogaj.
Ai ka thënë se kur kthehet njëkahore unaza e brendshme e Prishtinës, njëra korsi do të jetë vetëm për autobusë, dy korsi do të jenë për vetura e një tjetër për biçikleta e trotinetë elektrikë.