Arbëri

Drejtori i shkollës “Ahmet Gashi”: Besoj se orët e humbura do të kompensohen

Drejtori i shkollës “Ahmet Gashi” në Prishtinë, Haxhi Meta, ka thënë se beson që orët e humbura do të kompensohen dhe se kjo është marrë parasysh edhe në marrëveshjen e arritur.

Ai ka thënë se është e rëndë që viti shkollor ka filluar me një muaj vonesë, porse thotë se kështu ka qenë edhe vitet e fundit, në kohën e pandemisë.

Të hënën ka nisur mësimi në gjitha shkollat në Kosovë pas pezullimit të grevës. BSPK-ja të shtunën mori vendimin për pezullimin e grevës që nisi më 25 gusht.

“Sigurisht që ka qenë humbje. Por, shpresoj të kompensohen edhe me orë shtesë, marrëveshja mes Qeverisë e SBASHK-ut sigurisht se e ka pasur parasysh edhe këtë. Natyrisht se ka qenë e rëndë. Është një muaj larg procesit mësimor, por nuk është hera e parë që kemi filluar në këtë kohë. Tri vjetët e fundit, në kohë të pandemisë, thuajse të njëjtën kohë kemi filluar. Shpresoj të kompensohen këto. Besoj se pjesa e pushimit pranveror, atje me siguri do të zëvendësojmë. Besoj çdo gjë do të jetë në rregullt. Duhet bërë përpjekje edhe mësimdhënësit edhe nxënësit që orët e humbura të plotësohen”, ka thënë Meta në emisionin SOT në KTV.

Ai ka thënë se shpreson që në janar të mos ketë grevë tjetër dhe të arrihet një marrëveshje.

Edhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit ka lënë të kuptohet se orët e humbura do të zëvendësohen.