Arbëri

Park e shumë gjelbërim, projekti i Prishtinës për rrugën “Rexhep Luci”

Në një vend me gjelbërim e me drunj, me vazo të mëdha, ulëse e mobileri urbane, të cilin qytetarët kanë mundësi ta shfrytëzojnë si park, parashihet të shndërrohet ky vend.

Për rrugën “Rexhep Luci”, që lidhet me sheshin “Nënë Tereza”, Komuna e Prishtinës ka një projekt për të ardhmen.

Nga tuneli e deri tek sheshi kjo rrugë do mbyllet për qarkullimin e veturave duke u kthyer në një zonë që mund të shfrytëzohet nga qytetarët për relaks.

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, thotë se projekti që është mirëpritur nga banorët e lagjes parashihet të bëhet edhe nëpër rrugët e tjera lidhëse të sheshit.

“Banorët do të parkohen në pjesën e parkingut prapa tunelit, ose në pjesën prapa ndërtesave, në të cilët jetojnë. Pra ne po flasim për një numër të vogël të parkingjeve të cilat do të eliminohen me këtë projekt, në anën tjetër benefitet e qytetarëve janë shumë të mëdha me këtë plan urban. Të njëjtin projekt do ta planifikojmë edhe për rrugët tjera. Do të dalim pastaj edhe në rrugën e epërme në rrugën te restorant pishat dhe do të shohim të gjitha lidhjet me sheshin që bëhen të jenë rrugë që kthehen në shëtitore, në parqe urbane që ka më shumë gjelbërim, ku qytetarët e shfrytëzojnë”, tha Zogaj.

Nën asfaltin ekzistues janë edhe kalldrëmet, të cilat Komuna e Prishtinës është duke e shqyrtuar mundësinë që t’i rikthejë.

“Pra, nuk do të ketë parking të veturave siç e shohim tash, por kjo rrugë do të kthehet në një park urban me gjelbërim, me ulëse për qytetarët dhe me një formë tjetër të rrugës apo sheshit, sepse do të jetë një vazhdim i sheshit. Do të kthehen ose kalldrëmet e vjetër të cilat rruga i ka nën asfaltin që është shtruar mbi të, ose do të përdorim një guri tjetër të ri të cilin e kemi të nënshkruar me kontratë, pra po bëjmë analiza cila është më bukur dhe cila lidhet më mirë me sheshin ‘Nënë Tereza’”, tha Zogaj.

Ideja e rikthimit të kalldrëmit konsiderohet shumë i rëndësishëm nga arkitektët.

“Është e rëndësishme sepse kthehet në autenticitetin e vet dhe sa herë që i qasemi zonat historike ne jemi të ndjeshëm sepse duam të ruajmë ashtu siç ka qenë dhe kthimi i këtij autenticiteti, sidomos indi rrugor mendoj se është i rëndësishëm, sepse janë harruar. Ndërtesat jetojnë më shkurt sesa rrugët sepse ato trasohen dhe mbesin për një kohë të gjatë vetëm në rastet e intervenimeve shumë të mëdha urbane siç ka ndodh gjatë kohës së modernes. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Prishtinë. Ne e shohim nga harta, ne shohim nga larg se indi është i vjetër, indi i rrugëve përbën rëntgenin e qytetit, tregon se cili është qyteti i vjetër dhe praktikisht na bën më të vetëdijshëm rreth asaj se cilat pjesë të qytetit do të duhej të konsideroheshin si zonë historike”, tha arkitektja Florina Jerliu.

Sipas arkitektes Florina Jerliu, në ditët e sotme ekzistojnë teknika të ndryshme të cilat do të bënin që kalldrëmi i vjetër të rikthehej.

“Ndihem shumë mirë që është marrë një iniciativë që një rrugë sado e vogël të kthehet në pjesën e indit që veç e kemi të Nënë Terezës dhe aq më bukur të kthehet kalldrëmi i vjetër të kthehet. Sot ka teknika të ndryshme, mënyra, materiale që kalldrëmi të rikthehet dhe kjo të plasohej si projekt pilot në Prishtinë, sepse nuk janë vetëm ndërtesat historike por janë edhe rrugët historike ato që kanë rrëfimin për qytetin, sidomos për zhvillimin urban nëpër kohë nëpër shekuj. Ndoshta do të duhej të shihej ky projekt si iniciativë e qëlluar, por si fazë e parë në mënyrë që të vazhdohet edhe me rrugë të tjera të cilat kanë qenë të veshura me kalldrëm që dalëngadalë të kthehen. Pra, të mos mendohet për pjesët e vjetra të qytetit për ndërtim të rrugëve për meremetim të tyre, por për restaurim të rrugëve ashtu siç bëjnë edhe me ndërtesa”, tha Jerliu.

Sipas Komunës, pjesa poshtë tunelit do të mbetet sikur sot, ku do të jetë e hapur për qarkullimin e veturave.