Arbëri

Haxhimusa: Prishtina nuk e ka luksin të mos e shpenzojë buxhetin për investime kapitale

Diell Haxhimusa, hulumtues nga Iniciativa për Progres ka thënë se buxheti për Prishtinën për vitin 2023 do të jetë 105 milionë euro.

Sipas tij, faktorët që kanë ndikuar në rritjen e buxhetit, kanë qenë përqindja që ndahet përmes Ligjit për Kryeqytetin, por edhe të ardhurat nga Qeveria.

Ai ka thënë se për vitin fiskal 2023 janë planifikuar 40 milionë euro me qenë investime kapitale apo 22 për qind më shumë se vitin e kaluar.

“Një praktikë që e ndjek Prishtinën është se nuk mund ta harxhojnë shifrën që e kanë të planifikuar për investime kapitale. Nëse krahasojmë me vitet e kaluara, del që në vitin 2021 është shpenzuar 32.96 për qind e buxhetit kurse në vitin 2020 32.91 për qind. Sipas tij, asnjëherë nuk ka kaluar shifrën 50 për qind. Sipas tij, Prishtina nuk e ka luksin të lë buxhet për vitin e ardhshëm pasi që qytetarët kanë shumë nevoja”, ka thënë ai.

Sipas tij, mosemërimi i bordit të OSHP-së ka pasur rol në mosshfrytëzimin e buxhetit për investime kapitale.

Ai ka thënë se të gjitha komunat kanë qenë peng i mosemërimit të këtij bordi.

Haxhimusaj ka thënë se rritja e çmimeve është një faktor tjetër që nuk është shpenzuar buxheti për investime kapitale.

“Ky buxhet është i ndarë për qytetarët dhe ai duhet të shpenzohet për ta. Mbi 40 milionë euro më shumë, është shumë e konsiderueshme për investime kapitale. Rama duhet të reflektojë për shpenzim sa më të madh në këtë fushë. Këtu nevojitet vetëm vullneti i kryetarit. Kultura e sporti kanë gjithmonë më pak buxhet. Kjo ndoshta edhe për shkak të problemeve të mëdha të qytetarëve. Rama ka dhënë premtime shumë të mëdha, por këtë vit nuk kemi parë diçka konkrete që mund ta formësojnë rrugën për të parë dritën në tunel për premtimet e dhëna”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Rama deri tash më shumë ka bërë planifikim sesa realizim të premtimeve të dhëna.