Arbëri

Rama mburret me punë, kritikohet nga opozita

Tenderimi “Rrugës A”, punimet e së cilës pritet të fillojnë këtë vit, përfundimi i rrugës “Muharrem Fejza” për 40 ditë, lidhja e marrëveshjes me MMPHI-në për realizimin e projektit “Unaza e Mesme”, janë disa nga projektet që kryetari Përparim Rama i numëroi gjatë prezantimit të punës së tij 6-mujore në krye të Prishtinës.

Në seancën e shtatë të Kuvendit Komunal, Rama ka përmendur se gjatë kësaj periudhe kohore, qeverisja e tij ka ndikuar në lirimin e hapësirave publike, si dhe kthimin në pronësi të kryeqytetit si “Tullëtorja”, ish-biblioteka “Hivzi Sulejmani”, si dhe ish-kinema “Rinia”.

Përveç kësaj, mbajtja e “Manifestës” dhe “Sunny Hillit” u cilësua si një sukses pasi Prishtina u mbush me vizitorë këtë vit.

“Ka filluar procesi për caktimin e Arkitektit të Qytetit, me Policinë e Kosovës kemi vendimin e përbashkët për vëzhgimin me kamera të hapësirave publike, është vënë në binarë edhe procesi për ndërtimin e Spitalit të kryeqytetit, të Pallatit të Operës dhe Baletit, tre soliterët ikonikë me dy ndërtesat shoqëruese shumëbanesore po rinovohen, projekti HeatSave i ‘Termokosit’ po ecën mbarë, procesi për një revitalizim dinjitoz të Tregut të Gjelbër është iniciuar, kemi ndarë lokacionin për Liceun Artistik dhe kemi bërë ndërhyrje infrastrukturore në shumicën e shkollave në gjithë territorin e Komunës, kemi subvencionuar shtimin e serrave në zonat rurale, kemi të dhëna empirike për jetësimin e Unazës së Brendshme të qytetit, si dhe po i shtojmë bashkësitë lokale në fshatra e në lagje të qytetit”, u shpreh Rama.

Por për këtë raport u kundërshtua nga opozita.

Shefi i Grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, thotë se Rama po i merr meritat për punët që i kanë kryer të tjerët.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë bërë vetëm punësime e ndarje të tenderëve për zyrtarët e LDK-së dhe të afërmit e tyre.

Mbledhja e 7-të e Kuvendit Komunal u ndërpre në pikën e 3-të të rendit të ditës, pasi opozita bojkotoi seancën dhe pushteti nuk pati kuorum për të vazhduar.

Pasi pozita nuk e përfilli kërkesën për pauzë nga opozita, kjo e fundit u largua nga salla me arsyetimin se sjellja arrogante e pushtetit po vazhdon gjatë gjithë kohës.

Ndryshe, Vetëvendosje thotë se ata kanë edhe një kërkesë, anulimin e projektit “Arkitekti i qytetit” nga pika e rendit të ditës.

Gjatë fillimit të seancës, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, njoftoi se asamblisti i LDK-së, Fisnik Osmani, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për “arsye personale”, për t’u zëvendësuar me Hafiz Krasniqin.

Osmani gjatë javës së kaluar është zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes publike “Termokos”.