Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se objekti i “Kino Rinisë” i është rikthyer në menaxhim kryeqytetit.
Ai ka thënë se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka votuar pro kërkesës së Komunës që ta rikthejë këtë objekt nën menaxhim, pas disa vitesh.
“Kjo, pasi kemi vërtetuar nga Arkivat Komunale e Ndërkomunale që ky objekt është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe se deri tash, padrejtësisht është menaxhuar si ndërmarrje shoqërore nga AKP”, ka shkruar ai në Facebook.
Rama ka paralajmëruar se “javën tjetër menjëherë do të niset me planin e rigjenerimit të një prej ikonave të kryeqytetit”.
Më 2020, AKP-ja kishte provuar ta jepte me qira hapësirën prej 1.722m2. Bëhet fjalë për ndërmarrjen shoqërore “Genci”, që menaxhon me atë që dikur ishte “Kino Rinia” në rrugën “Migjeni” dhe me Kinemanë ABC, në rrugën “Rexhep Luci”, që ishte “Kino Vllaznimi”. Me vetë “Gencin” si kompani për distribuimin dhe shfaqjen e filmave menaxhon AKP-ja. Asetet e “Gencit” janë në likuidim qysh prej vitit 2014. Por nuk janë privatizuar ende.