Arbëri

Xhaferi: Ngritja e çmimeve ndikoi te kontraktorët, Komuna e pafuqishme t'i subvencionojë

Descriptive Text

Drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, ka thënë se ngritja e çmimeve ka ndikuar që në Komunën e Prishtinës shumë kontraktorë të mos i startojnë kontratat.

I ftuar të hënën në emisionin 038 në KTV, Xhaferi ka thënë se komuna nuk ka pasur fuqi që t’i subvcencionojë kontratat ekzistuese.

“Jemi ballafaquar me një situatë të pazakontë, ngritja e çmimeve e ka bërë të veten, shumë kontraktorë nuk i kanë startuar kontratat. Kjo e ka shkaktuar një telash shumë të madh në shpenzim të buxhetit por edhe në shumë projekte kapitale që kanë mundur të jenë sot duke u zhvilluar në terren. Si Komunë e Prishtinës nuk kemi pasur fuqi t’i subvencionojmë kontratat ekzistuese”, ka thënë ai.

Xhaferi ka njoftuar se ekzistojnë rreth 30 kontrata që duhet të shkëputen dhe të ritenderohen.

“Vitin 2022 e kemi gjetur me 38 kontrata që është dashur t’i tenderojmë nga marsi kur kemi ardhur ne, të gjitha këto projekte i kemi përmbyllur dhe i kemi tenderuar si të tilla. Kur kemi qenë me ministrin Abdixhiku në Ministrinë e Infrastrukturës, e kemi zgjidhur problemin pronësor bashkë me hekurudhat dhe ja kemi dhënë Komunës së Prishtinës këtë pjesën e pronës mbi hekurudhë në lagjen ‘Arbëria’, por për shkak të ngritjes së çmimeve ka mbetur si peng si kontratë, por nëse nuk subvencionet edhe këto ditë, duhet të gjejmë formulën pasi nuk mund të mbesim pa kufi në këtë formë”, ka shtuar ai.

Drejtori i Investimeve Kapitale ka njoftuar se në fund të muajit shtator, pritet të fillojnë punimet në “Rrugën A”.

“’Rruga A’ nuk ka qenë e tenderuar, as projekti i saj nuk ka qenë i përfunduar, në ditët e para e kemi bërë përfundimin e projektit, është në fazën e tenderimit, deri në fund të shtatorit besoj se punimet do të fillojnë nëse shkon çdo formë e tenderimit në rregull”, ka thënë ai.

Nga 8.5 milionë euro që janë rialokuar të hënën nga Kuvendi Komunal, Xhaferi ka thënë se rreth një milion ndahen për intervenime në rrjetin e kanalizimit të Prishtinës.

“Shumë objekte banesore janë të vërshuara në rrjetin e kanalizimit dhe kjo më ka shtyrë që të ndajmë një vlerë më të madhe për sanimin dhe intervenimin në këtë pjesë”, ka thënë ai.

Mbyllja e gropave në rrugët e Prishtinës, sipas Xhaferit ka filluar në lagjen “Kodra e Trimave” dhe në “Arbëri”, ndërsa pritet të vazhdohet edhe në lagjet tjera.

Siç ka thënë ai, në vitin 2023, komuna do të jetë e fokusuar në projektet brenda qytetit, siç është “depërtimi i Veternikut që është projekt i madh si pjesë e Rrugës A, do të koncentrohemi në pjesën e qytetit për t’i dhënë frymë komunikacionit që është i bllokuar”.