Arbëri

Shkarkohet kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore, Hajdar Hoxha

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore, Hajdar Hoxha, është shkarkuar të hënën nga kjo pozitë.

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka publikuar vendimin e marrë nga bordi i përkohshëm i kësaj ndërmarrjeje për shkarkimin e Hoxhës.

“Në vazhdën e reformave që po bëhen nëpër ndërmarrjet e Prishtinës, pas KRM ‘Pastrimi’ dhe ‘Hortikultura’, ndryshimi sot u bë edhe në menaxhmentin e ‘Ndërmarrjes Publike Banesore’ - duke u shkarkuar menaxhmenti i vjetër”, ka shkruar Retkoceri krahas vendimit të publikuar.

Sipas tij, mandati i NPB-së së Prishtinës është karakterizuar me keqmenaxhim, mungesë të transparencës dhe mosrealizim të planit të kompanive.

“Për këto arsye, dhe të tjera me të cilat do të merret policia dhe prokuroria, ndryshimi në NPB ka qenë i domosdoshëm, urgjent dhe i pashmangshëm. Menaxhmeti i ri i Ndërmarrjes Publike Banesore do të filloj menjëherë reformat, për të ndërtuar politika menaxhuese transparente dhe në shërbim të plotë të qytetarëve të Prishtinës”, ka shtuar ai.