Arbëri

Hortikultura “me 50 punëtorë mangët” kultivon 1.2 milionë lule çdo pranverë

Drejtori i Hortikulturës, Isak Rakovica, ka thënë se ndërmarrja ka mungesë të punëtorëve, por megjithatë ajo kultivon çdo pranverë 1 milion e 200 mijë lule për t’i mbjellë në zonat e gjelbëruara të Prishtinës.

Rakovica ka thënë në emisionin “Sot” në KTV të martën se për kultivimin e kësaj sasie të luleve përkujdesen 22 punëtorë, derisa ka shtuar se ndërmarrja ka mungesë të 50 punëtorëve.

“Gjatë sezonit dimëror në lulishten e ndërmarrjes 22 punëtorë kujdesen për kultivimin e luleve dhe në fillim të pranverës ne dalim me rreth 1 milionë e 200 mijë lule sezonale dhe shkurre. Deri në fund të qershorit, ne arrijmë që me prodhimet tona t’i plotësojmë kriteret e parqeve. Jemi në mungesë të 50 punëtorëve fizikë. Me këtë numër të punëtorëve duhet t’i kryejmë të gjitha këto obligime”, ka thënë Rakovica.

Sipas tij, Prishtina i ka 260 hektarë sipërfaqe gjelbëruese dhe ekziston edhe një problem me uzurpuesit e hapësirave rreth banesave të tyre të banimit, kryesisht në lagjet Dardani dhe Ulpianë.

“Kemi pjesë në Dardani e Ulpianë ku i kemi të uzurpuara pjesët gjelbëruese me rrethoja përballë objekteve të tyre të banimit. Ne po arrijmë me drejtorinë e Inspeksionit dhe të Shërbimeve Publike largimin e këtyre urzurpuesve”, ka thënë Rakovica, duke shtuar se gjendja e mirë nuk ekziston as me mirëmbajtjen e varrezave në fshatra.