Arbëri

Rama: Me unazën njëkahëshe ulen dukshëm aksidentet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se janë duke shtyrë përpara një numër të madh të projekteve përkundër problemeve me rritje të çmimeve.

Ai në emisionin “038” ka thënë se kanë pasur takime me kontraktorë të ndryshëm për t’iu kërkuar bashkëpunim për t’i shtyrë përpara projektet e nisura.

Rama ka thënë se kanë gjetur mirëkuptim me shumë kompani që janë duke kryer punë për kryeqytetin.

Ai ka përmendur unazën njëkahëshe, duke shtuar se kjo ulë dukshëm aksidentet.

“Ndër punët e mëdha është edhe përfundimi i projektit të rrugës ‘A’ i cili ka dalë edhe në prokurim. Ky e zgjidh një problem të madh edhe me lagjen ‘Kalabria’ për problemin që e kanë me ujërat e zeza. Krijon një komunikim më të mirë që i ndihmon edhe trafikut që është ende problem. Kemi edhe projekte tjera që jemi duke i shtyrë përpara. Kemi testet e rrugës njëkahëshe të rrugës ‘Agim Ramadani’. Në bazë të testeve rezultatet janë të mrekullueshme. Kemi pasur 188 pika që kanë qenë në rrezikshmëri të lartë në bazë të testeve. Nëse bëhet kjo rrugë njëkahëshe rritet aspekti i sigurisë dhe ai kohor”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se rregulloret janë më se të nevojshme pasi lidhen edhe me demografinë.

Ai ka thënë se është punuar shumë në rregulloren për E-scooters.

Sipas tij, duhet të vendosen pjesët se ku duhet të përdoren dhe ku ndalohet përdorimi i tyre.

“Mendoj që është fillim pozitiv sepse është një mundësi e lirë për qytetarët që të lëvizin nëpër kryeqytet.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se para disa vjetëve kishte kontaktuar kryetarin e atëhershëm të kryeqytetit si dhe imamin për të shpjeguar se pse lokacioni i Xhamisë Qendrore do të ishte më i përshtatshëm te pjesa e Prishtinës së vjetër, afër tri xhamive ekzistuese.

Por ai thotë se tashmë është vonë dhe se duhet vazhduar ndërtimi i Xhamisë Qendrore në lokacionin ku është.

“Ish-kryetari nuk ka pasur ndonjë apetit që të bëjë ndryshimin e lokacionit, anipse atëherë në bisedë edhe me imamin, ishte pajtuar që pika tjetër që kam përmendur unë është më e përshtatshme. S’ka ndodhur. U lejua që zona ku është tani të jepet leje që fillimisht të bëhet gropimi e të vendosen pilotat, ka vazhduar puna. Nëse e shihni tekstin tim të para katër vjetëve kam thënë se është momenti i fundit. Tash s’mund të bëjmë. Normal jemi 5 vjet prapa, duhet vazhdojë. Nëse qëndron ashtu si është bëhet problem për sigurinë e gjithë zonës”, ka thënë Rama në një intervistë për emisionin “038” në KTV.

Ai ka thënë se pika ku është aktualisht mund të shkaktojë edhe probleme me trafik gjatë festave.

Por ka thënë se po bëhen analiza që gjithë rruga deri te Posta të shnëdërrohet në shesh.

“Kështu tejkalohet problemi i trafikut, krijojmë hapësirë të mirëfilltë”, tha Rama. “Kam menduar se si problemet që i kemi trashëguar, t’i tejkalojmë e ta bëjmë një transformim pozitiv për të mirën e gjithëve”.

Rama ka thënë se është me rëndësi që të përshpejtohen ndërtimet.

Rama, ka shtuar se ka raporte të mira me gjithë asamblistët. Ai tha se Vetëvendosja është parti politike që e ka fokusin e vet dhe LDK-ja e ka programin e saj.

Ai ka thënë se në asamble të gjithë e tregojnë versionin e tyre se çka është më e drejtë.

Rama ka thënë se nuk duhet ndërlidhur niveli qendror me atë lokal sepse është e panevojshme.

“Sa i përket marrëdhënieve të mia me liderët politikë, unë me të gjithë jam mirë, jam mirë edhe me qytetarët e Prishtinës. Kjo është mënyra se si i shikoj gjërat në përgjithësi”, ka thënë ai.