Arbëri

Rama: 15 mijë apartamente të pashitura në Prishtinë

E ngarkuar me ndërtime të larta, Komuna e Prishtinës ka rreth 15 mijë apartamente ende të pashitura.

Kjo është analiza që ka bërë Komuna e Prishtinës gjatë kohës që po merret me shqyrtimin e Planit Zhvillimor Komunal, i cili gjatë mandatit të kaluar është kthyer nga Ministria e Planifikimit Hapësinor si jo i plotësuar.

Duke planifikuar të inkuadrojë edhe pjesë të projektit të tij brenda PZHK-së, kryetari Përparim Rama thotë se është i interesuar të krijojë vlerë nëpër lagje e jo të ngrejë koeficientin.

Gjatë një debati publik në lagjen “Mati”, Rama thotë se në këtë lagje ende është mundësia që të merret kontrolli dhe të krijohet një jetesë më e mirë për qytetarët.

“Tash e tutje të krijojmë vlerë, jo vetëm metër katror. Kur krijomë vlerë, ai metër katror bën 3 herë ma shumë sesa koeficienti 2.4 ku është për shembull. Nëse e ki 1.2 e shet shumë më shtrenjtë sesa diku që e ki 2.4, e mund koeficientin, sepse ke krijuar vlerë. Kemi vende të ndryshme ku është krijuar vlera dhe çmimet e shtëpive dhe të banesave janë më të larta, sepse ka vlerë aty. Nuk duhet të biem në kurth të koeficientit. Jemi për koeficient aty ku ka kuptim, por më shumë jemi për vlerë, të krijojmë një jetesë më të mirë për të gjithë neve. Nëse mendojmë kësisoj e sjellim një densitet”, ka thwnw Rama.

Sipas kryetarit, e njëjta vlen edhe për lagjen “Kodra e Trimave”, ku gjatë debatit publik në këtë vend shumë banorë kërkuan rritjen e koeficientit.

Për “Kodrën e Trimave” ekziston një plan rregullues, i cili është miratuar në vitin 2015, por vetëm zona 1, ndërsa zona 2 është me plan zhvillimor urban.

Por tani qeverisja e kryetarit Përparim Rama është duke bërë pilot-projektin për rigjenerimin e kësaj lagjeje.

Blloqe të rregulluara për të krijuar hapësira kopshtesh për banorët dhe ndërtimi me standarde të larta, në mënyrë që të minimizohet përdorimi i energjisë elektrike dhe ujit, janë në kuadër të planit të rigjenerimit për “Kodrën e Trimave”.

Në këtë mënyrë, drejtoresha e Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani, thotë se qeverisja e Ramës parasheh të bëjë edhe ndërlidhjen e zonës urbane dhe asaj rurale, ku do të ketë vetëm një hartë të përbashkët zonale për të gjithë Prishtinën.

“E kemi marrë një shembull, një pjesë të lagjes dhe i kemi llogaritë në bazë të shtëpive dhe kemi bërë një ndërtim të lartë, megjithëse ende nuk i kemi caktuar koeficientet, sepse pyetja kryesore ishte sa do të jetë, sepse kjo po u intereson qytetarëve për momentin e jo qysh do të zhvillohet lagjja e tyre. Kemi probleme, nuk kemi QMF, sepse kemi probleme me pronësi, shumë nga to janë në pronë komunale dhe në bazë të rigjenerimit jemi duke tentuar të zgjidhim edhe këtë problem, kemi marrë ekspertë nga jashtë të cilët po na ndihmojnë në projektimin e rigjenerimit të “Kodrës së Trimave”, pohoi Sylejmani.

Pas shumë vjetësh, Komuna e Prishtinës ka filluar me mbajtjen e debateve publike nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës, nga ku po marrin edhe mendimet e qytetarëve dhe po njoftohen për së afërmi me problemet të cilat ata i kanë.

Mungesa e ujit, e kanalizimit dhe rrugët të cilat janë të ngushta dhe pa hapësira të gjelbra e shëtitore për këmbësorë, janë disa nga problemet më të mëdha të banorëve të të gjitha lagjeve, e për të cilat ata shprehën pakënaqësitë e tyre nëpër këto debate.

Drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki, thotë se të gjitha këto probleme do të zgjidhen me planifikimin e Prishtinës dhe që tashmë janë duke e bërë.

Komuna e Prishtinës gjatë javës së kaluar ka mbajtur edhe një debat publik me të gjithë qytetarët e Prishtinës, nga të cilët u njoftua me problemet më të mëdha të komunitetit, e për të cilat premtoi se do të punojë intensivisht për zgjidhjen e tyre.