Arbëri

Rama: Do të nderohen ata që kontribuuan për çlirimin e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se do të kujdeset si udhëheqës i komunës që të gjithë pjesëtarët e komunitetit që kanë kontribuuar para, gjatë dhe pas luftës, të nderohen.

Gjatë homazheve që ka bërë me zyrtarët komunalë te shtatorja e “Zahir Pajazitit” në Prishtinë me rastin e Ditës së Çlirimit të kryeqytetit, Rama ka thënë se qytetarët e Kosovës vetëm të bashkuar si shoqëri do të ecin përpara.

“Dita e çlirimit të kryeqytetit është me rëndësisë shumë të madhe. Është me rëndësi shumë të madhe që t’i respektojmë dhe nderojmë, edhe të mendojmë për secilin pjesëtar të komunitetit, pra për dëshmorët tanë, për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për personat që kanë dhënë shumë për çlirimin e kryeqytetit, për familjet që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre e që mandej prapë kanë besuar dhe janë kthyer për t’i zhvilluar jetët e tyre në kryeqytet, për të ndërtuar prapë jetën dhe kryeqytetin së bashku, për familjet të cilat i kanë lëshuar shtëpitë e tyre, i kanë transformuar në shkolla dhe në spitale për t’i ndihmuar asokohe luftëtarëve tanë për çlirim. Pra, të gjithë pjesëtarët e komunitetit që kanë bërë gjatë kohës së luftës, para luftës dhe pas luftës që të nderohen”, ka thënë Rama.

Për nder të ditës së çlirimit të Prishtinës, të shtunën është mbajtur edhe seanca solemne në Komunën e Prishtinës, ku është shpallur qytetar nderi gazetari britanik, Vaughan Smith.