Arbëri

Drejtori i “Hortikulturës” thotë se krasitja e pemëve në Prishtinë është bërë në mënyrë profesionale

Drejtori i Kompanisë “Hortikultura”, Isak Rakovica, ka thënë se planifikimet e kësaj ndërmarrje rrjedhin nga vendimet e Drejtorisë së Parqeve.

Ai ka thënë se kanë filluar në mars në kultivimin e sipërfaqeve të reja gjelbëruese.

Derisa ka komentuar krasitjen e pemëve në sheshet e Prishtinës, ai ka thënë se është marrë vendim nga ekspertët e kësaj natyre.

Ai në emisionin "038" në KTV ka thënë se krasitja është bërë në mënyrë profesionale.

“Jemi të vonuar me krasitjet në shesh pasi është bërë pas 13 vjetësh. Sheshet duhet të jenë çështje të hapura dhe duhet ta kenë edhe dizajnin. Varësisht nga vendi ku është bima duhet të përcaktohet edhe krasitja dhe dhënia e formës së bimës”, ka thënë ai.

Sipas tij, momentalisht janë kryer rreth 50 për qind e procesit të mbjelljes së luleve dhe janë mbjellë deri në 4000 fidanë deri sot.

“Mbjellja e luleve do të përfundojë në qershor, ndërsa mbjellja e fidanëve këtë muaj. Gjithçka po shkon sipas planifikimeve. Po bëhet largimi i hapësirave të uzurpuara. Po largohen mbeturinat dhe në përgjithësi është një planifikim tjetër nga vitet e kaluara. E gjithë kjo po bëhet për kultivimin e më shumë sipërfaqeve gjelbëruese. Kërkesat për bimë dekorative janë rritur dhe ne jemi duke shkuar sipas planit të veprimit”, ka thënë ai.

Sipas tij, për të pasur një park duhet të ketë edhe sistemin e ujitjes, ndriçimin publik dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme.

Ai ka thënë se kanë bashkëpunim të ndërsjellë edhe me drejtoritë tjera.

Rakovica ka thënë se vitet e kaluara në shumë sipërfaqe janë mbjellë fidanë e të cilët pastaj nuk janë mirëmbajtur pas një viti. Ai ka thënë se fidanët e thara janë ndërruar.

Sipas tij, në peizazhin e Gërmisë janë njësia e veçantë që përkujdeset për florën dhe faunën.

Ai ka deklaruar se sipërfaqet gjelbëruese do të shtrihen varësisht nga infrastruktura.

“Te ne vijnë punët përfundimtare, d.m.th pas ndërtimeve. Rëndësi jemi duke i kushtuar edhe mirëmbajtjes. Kemi mekanizëm modern për ujitje”, ka thënë ai.

Rakovica ka thënë se në fillim u është bërë e ditur nga Komuna se mirëmbajtja duhet të jetë më ndryshe.

Duke folur për oborrin e kampusit të Universitetit të Prishtinës, ai ka thënë se shumë prona komunale, komuna ua ka bartur në menaxhim institucioneve.