Arbëri

Zogaj: Po i afrohemi një vendimi final për unazën njëkahore në Prishtinë

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se trotinetet elektrikë po bëhen çdo ditë e më shumë mjete atraktive.

Ai ka thënë se kohë pas kohe janë ofruar edhe kompani private që kanë interesim që të ndihmojnë lidhur me trotinetet.

Zogaj gjithashtu ka folur edhe për unazën njëkahore në kryeqytet duke deklaruar se janë afër një vendimi final.

“Ne nuk mundemi dhe nuk guxojmë të lejojmë të japim leje për kompanitë private që ato të funksionojnë me trotinetet elektrikë në Prishtinë pa pasur rregullore që e rregullon funksionimin e tyre. Puna e parë ishte që të krijojmë një bazë të rregullave, rregullore, që të përcaktohet se si mund të funksionojë kjo e pastaj edhe të hapim një thirrje për kompanitë private”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se shërbimet janë tepër lehtë të qasshme nga qytetarët.

Zogaj ka thënë se qytetarët e Prishtinës gjatë kësaj vere nuk do të kenë nevojë që të përdorin taksin apo veturën, por do ta marrin trotinetin nga pika A deri në pikën B.

Sipas tij, çmimet mund të jenë të krahasueshme me çmimet e autobusit dhe asesi me të taksive.

“Trotinetet përdorën kur jemi më për ngutë dhe mund të përdoret edhe shtegu i biçikletave. Unaza e brendshme e Prishtinës që e kemi testuar dy herë, po mendojmë me e kthy në unazë njëkahore, ku dy shirita do të jenë për vetura, një për autobusë dhe një tjetër për biçikleta, trotinete dhe qytetarë. Me këtë kthim të unazës njëkahore po ia japim qytetarit një shirit të plotë, autobusëve një shirit të plotë, duke e bërë shumë më atraktiv për qytetarët”, ka thënë ai.

Zogaj ka thënë se është krijuar një ekip që po punon në analizën e detajuar për linjat e trafikut urban.

Ai ka thënë se që dy herë po testohet mbyllja e një pjese të rrugës, e që sipas tij qytetarët po e pëlqejnë këtë testim.

Sipas tij, testi i dytë ka dalë shumë më pozitiv se testi i parë dhe se rezultatet që janë marrë këtë vikend janë shumë më të mira se herën e kaluar.

Zogaj ka thënë se problem ka vetëm në lagjen “Pejton” për shkak të një ngushtice e cila po analizohet nga ekspertët.

“Ne po i afrohemi një vendimi final për unazën njëkahore në Prishtinë”.

Për “Prishtina Parking”, ai ka thënë se qytetarët po e mirëpresin këtë iniciativë.

“Me ‘Prishtina Parking’ problemet po rregullohen. Prishtina është qytet i ecshëm, prej çdo pike ku e ndalë veturën, ecja është shumë e lehtë”, ka thënë ai.