Arbëri

Kryetari i Prishtinës zotohet që qarkorja njëkahore të konkretizohet sivjet

Testimi i Komunës së Prishtinës është shoqëruar me më pak bllokada të trafikut të veturave, të shtunën. Në disa pjesë qarkullimi ka qenë më i lehtësuar sesa në testet e kaluara të qarkullimit njëkahor, por jo pak ngasës veturash e kanë përshkruar situatën si kaotike, veçmas në lagjen “Dardania”. Në anën tjetër, këmbësorë e grupe të çiklistëve janë shprehur të kënaqur me lirimin rrugëve nga veturat. Kryetari Përparim Rama ka deklaruar se qarkullimi i përgjithshëm njëkahor në unazën kryesore të kryeqytetit pritet të zbatohet nga fundi i këtij viti

Me qarkullim më të lehtë i veturave e më pak bllokada, ka rezultuar testimi i dytë i qarkullimit njëkahor të shtunën në Prishtinë. Më pak ngarkesë është parë në lagjen “Pejton” që ka qenë e stërngarkuar gjatë testeve të kaluara të Komunës së Prishtinës. Megjithatë, pakënaqësi kanë shprehur ngasësit e veturave për qarkullimin në qendër të qytetit, sidomos në lagjen “Dardania”, ku gjendjen e vlerësuan si të keqe.

Muhamet Jupa, që po priste në kolonë të gjatë në këtë lagje, e përshkroi si të tmerrshme gjendjen e trafikut.

“Është tmerr rruga. Duhet të bëhet zgjidhje tjetër e jo të bëhen eksperimente të këtilla. Javën e kaluar nuk isha këtu, ama po e shoh se tash se qenka bërë kaos krejt, në përgjithësi”, ka thënë Jupa. Një qytetar tjetër që po priste në rrugën kryesore të lagjes “Dardania”, Astrit Pira, ka thënë se gjendja është kaotike.

“Qarkullimi njëkahor është për momentin kaotik. Nuk është i rregulluar fare. Opinioni nuk është i njoftuar me masat e ndërmarra. Madje ka edhe rrugica që janë ndryshuar ad-hoc brenda ditës si në rastin konkret rruga prej ‘Ramiz Sadikut’, gjegjësisht prej ‘Burger King’ në pjesën tjetër dhe kjo e ka sjellë komplet kaosin. Është kaos i vërtetë edhe humbje kohe mirëpo në qoftë se do të ishte bërë një studim më i mirë i mobilitetit besoj që do të mund të arrihej në sukses i cili kërkohet aktualisht e të arrihet me tentativat e radhës”, ka thënë ai.

Baki Gjibegji, që punon në një furrë buke, ka pohuar se i është vështirësuar puna me biznesin e tij.

“Ditë vikendi dhe është në gjendje ta bëjë këtë, kjo është jonormale. Jemi me biznes. Bredhim dy orë rrugëve dhe nuk mund t’u shërbejmë (v.j. klientëve), një shërbim ta bëjmë. Nuk mund ta parashikoj se çka menduar ‘ky president i Kosovës’, ky kryetari i komunës kështu”, ka thënë ai.

Por të kënaqur janë shprehur këmbësorët e çiklistët.

Luan Hashani, i cili kishte dalë me bashkëshorten e fëmijët e tij në qendër të qytetit, ka thënë se qytetarëve që nuk qarkullojnë me vetura duhet t’u jepet më shumë hapësirë.

“Ditët e tjera të javës kam qarkulluar me veturë. Sot është hera e parë (v.j. gjatë kësaj jave) që dal pa veturë dhe mendoj se është ide e mirë dhe duhet të vazhdojë të realizohet çdo ditë të javës...Duhet dhënë hapësirë edhe qytetarëve, pensionistëve, fëmijëve, që të kenë më shumë hapësirë që të qarkullojnë më lehtësisht dhe më lirshëm, sepse nuk është për çdo gjë ta marrësh veturën e të dalësh në qytet të pish kafe para kafenesë”, është shprehur ai.

Grupi “Marakli t’Biciklave” po ashtu është mbështetës për idenë e udhëheqësisë komunale që u jep më shumë hapësirë çiklistëve.

Kryetari i këtij grupi çiklistësh, Berat Rakovica, ka thënë se shpreson se komuna do të krijojë shteg për biçikleta në unazën kryesore të Prishtinës.

“Po ndihemi më të përkrahur, më të fuqishëm, po ndihemi që ka hapësirë dhe po e shohim që ka mundësi të bëhet edhe e përditshme kjo. Jo vetëm të bëhen faza testuese, por të bëhet një herë e përgjithmonë dhe po shihet se sa janë në gjendje ta përdorin qytetarët. Besoj që kryetari do ta marrë parasysh që të bëhet shtegu, ashtu siç na ka premtuar që do bëhet shtegu përreth unazës”, ka thënë Rakovica. Hapësirë më të madhe për lojë, qarkullim me biçikleta e trotinete kanë pasur fëmijët.

Kryetari Përparim Rama, ka thënë se gjendja është dukshëm më mirë sesa në testimet e kaluara.

“Para disa javësh e kemi bërë testin e parë, i cili na ka dhënë informata shumë të rëndësishme mbi të cilat ne tash jemi duke e bërë testin e dytë. Përmirësimi është drastik nga testi i parë që e kemi bërë, çdo gjë po lëviz më mirë në mënyrë shumë më pozitive”, ka deklaruar Rama. Semaforët, sipas Ramës do të bëhen të panevojshëm në unazën kryesore me ndryshimet që planifikohen.

“Paralelisht me testimet bëhen edhe planifikimet, sepse tash duhet qasja edhe në bazë të informatave që i kemi edhe planifikimet për shenjëzimin e ri të rrugëve, për funksionalizimin e pjesëve të ndryshme për shembull për parking apo stopa për autobusë, heqja e semaforëve sepse tash në sistem njëkahor nuk do të ketë nevojë një pjesë të madhe që të përdoren as semaforët për arsye se ky flow (v.j. qarkullim) kjo lëvizje do të jetë më e lehtë, më e shpejtë, pa nevojë të semaforëve në një pjesë të madhe si rezultat i aspektit njëkahor”, ka thënë ai.

Rama është zotuar për përfundim të testimeve deri në fund të vitit, kur e parasheh nisjen e qarkullimit njëkahor në unazën kryesore të Prishtinës gjatë të gjitha ditëve të javës.

“Të gjitha këto po menaxhohen, po planifikohen, po dizajnohen. Mendojmë, planifikojmë që deri në fund të vitit ta kemi të zgjidhur aspektin e sistemit njëkahor. Kjo është paralele, normalisht me pikat e tjera përreth, ku ne mundësojmë parkingje për qytetarë që vijnë nga jashtë dhe transport alternativë që thashë për biçikleta, troninete e autobusë në mënyrë që të kemi një ndërlidhje të mirë të mobilitetit të qytetit”, është shprehur Rama.

Qarkullimi njëkahor në kryeqytet, sipas tij, paraqet kthim të hapësirës publike të dominuar nga veturat te banorët e tij, pasi 73 për qind të tyre nuk janë ngasës veturash. Komuna ka njoftuar se testi do të vazhdojë edhe gjatë së dielës.